21 Tetor 2021

Pagesa e polisave kufitare subvencionon një kategori në gjendje të mirë financiare

Prishtinë, 3 tetor - Instituti GAP ka publikuar sot raportin “Pagesa e polisave kufitare nga buxheti i shtetit”.

Pagesa në kufi për sigurimin e autopërgjegjësisë ka qenë një ndër ankesat e vazhdueshme të diasporës, kryesisht për shkak të vonesave në kufi dhe kostos relativisht të lartë.

Andaj sipas GAP Qeveria e Kosovës mori vendim për mbulimin e plotë të obligimeve të primit të sigurimit kufitar për të gjithë bashkëatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i polisës kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Pas aprovimit të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 11 gushtit 2021, ndau pesë milionë euro për zbatimin e masës 4.5 për “mbështetjen e mërgatës”.

Sipas vendimit, mjetet merren nga kodi buxhetor i Pakos dhe transferohen në Thesar, prej nga ku pastaj tranferohen në baza mujore në një llogari të veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), sipas faturës së dorëzuar nga kjo e fundit.

Të hyrat nga polisat kufitare përbëjnë në mesatare rreth 8% të të hyrave vjetore të kompanive të sigurimeve.

Që nga viti 2002, kompanitë e sigurimeve shesin mesatarisht 260 mijë polisa kufitare në vit.

Sipas të dhënave të siguruara nga BKS, deri në fund të muajit gusht 2021, faturat e dorëzuara nga BKS në Thesar për polisat e sigurimit kufitar kapin shumën e 2.4 milionë eurove.

Sipas vendit të origjinës, shumica e veturave kanë ardhur nga Gjermania, Zvicrra dhe Austria.

GAP bën të ditur se në kushte jashtë pandemie, më shumë se gjysma e diasporës realizon tri deri në katër vizita gjatë vitit në Kosovë, ku qëndrimi zgjat nga dy deri në katër javë, duke realizuar shpenzime me vlerë deri në rreth 4.6% të Bruto Produktit Vendor, apo 328 milionë euro.

Kjo sipas GAP pa llogaritur remitencat, të cilat mesatarisht sillen në 620 milionë euro në vit. Duke marr për bazë shpenzimet mesatare vjetore, shpenzimet e diasporës për polisat kufitare kapin rreth 3% të të gjitha shpenzimeve që ata bëjnë në Kosovë.  

Raporti vlerëson se pagesa e polisave kufitare nga buxheti i shtetit nuk do duhet të shërbejë si praktikë edhe në vitet e ardhshme.

Kjo për faktin se është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare.

GAP konsideron se në vend të kësaj, në periudhë afatshkurtër, Qeveria e Kosovës, BQK dhe BKS duhet të ua mundësojnë pjesëtarëve të mërgatës dhe të huajve që hyjnë në Kosovë, që polisat kufitare t’i paguajnë në mënyrë elektronike (‘online’) me qëllim të shkurtimit të kohës për pritjet në kufi.

"Në aspekt afatgjatë, institucionet duhet të sigurohen që numri i veturave të paregjistruara dhe në qarkullim të ulet nga 30% në 5%, dhe kësisoj, të largohet edhe pengesa praktike për aplikim për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”", thekson GAP.

Sa i përket dëmeve të paguara, kompanitë e sigurimeve shpenzojnë mesatarisht 1.2 milion euro në vit.

Vonesat në pagesat e dëmeve si pasojë e procedurave të gjata gjyqësore është edhe një ndër shqetësimet e pjesëtarëve të mërgatës sa i përket polisave kufitare.

Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e sistemit të “Kartonit të Gjelbër”, një mekanizëm i përbashkët i 48 shteteve për sigurimin e viktimave të aksidenteve motorike ndërkufitare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2021 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me shoqaten e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit për zgjidhjen e statusit të veprimtarëve invalidëve të plagosur para luftës çlirimtare në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon edicionin e 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”. (Hotel Emerald, ora 10:30)

-  Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjës organizon ceremoninë e betimit të rekrutëve të rijnë. (Kazerma e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miraton listën e ngushtë të kandidatëve për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Mbahet edicioni i trtë i festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 18:30)