09 Dhjetor 2022

MMPHI me 26 kontrata prej 5,7 milionë euro me procedurë pa publikim

Prishtinë, 31 tetor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.

Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilave MMPHI-ja kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave.

MMPHI sipas ZKA-së ka lidhur 26 kontrata të negociuara me vlerë të përgjithshme prej 5,7 milionë euro vetëm në vitin 2021 duke e rendit si një nga ministritë që më së shumti ka përdor këtë lloj procedure.

Aktivitetet e prokurimit, në çdo autoritet kontraktues duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik.

Këto parime kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar si dhe ndihmon organizatën në arritjen e objektivave të saj.

Përmes këtij auditimi në MMPHI, synojmë që të vlerësojmë sa ishte i arsyeshëm dhe në përputhje me kornizën ligjore të prokurimit publik përdorimi i procedurës së negociuar nga ana e Ministrisë, a është dokumentuar si duhet përdorimi i kësaj procedure dhe a është arritur vlera për para në këto projekte.

Fushëveprimi i këtij auditimi janë kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë afër 4,9 milionë euro (14 kontrata).  

Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në MMPHI dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet e shpenzuara publike arrijnë vlerën për para.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)