23 Tetor 2021

Ministri Murati dorëzon kallëzim penal për shpronësimet e segmentit Kijevë - Zahaq

Prishtinë, 1 shtator - Sot Ministri Murati ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë - Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë - Klinë - Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë eurove.

Për qëllime të këtij projekti ishte paraparë shpronësimi i 1,059 pronave, prej të cilave 858 ishin prona private, 148 prona shoqërore dhe 53 prona të privatizuara nga procesi i privatizimit.  

Të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta në këtë proces, duke u nisur nga mungesa e buxhetimit të mjeteve që është kërkesë ligjore, e deri tek mos-respektimi i kritereve dhe procedurave të vlerësimit.

Mirëpo më kryesorja që duhet të theksohet është shpërputhja e vlerave në mes të tabelës së vlerësimit të dorëzuar fillimisht nga Departamenti i Tatimit në Pronë tek asokohe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 17 maj 2019, dhe vlerave në tabelën e miratuar nga Qeveria me datë 17 dhjetor 2019.

Bazuar në tabelat e Departamentit të Tatimit në Pronë, segmenti në fjalë është vlerësuar me shumën prej 31,040,729 euro. Pas këtij vlerësimi, më 17 dhjetor 2019 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka proceduar propozim-vendimin në Mbledhje të Qeverisë për të miratuar shpronësimin e pronave të këtij segmenti mirëpo me tabela tjera, e që për parcelat e njëjta në total kapin shumën për shpronësim prej 43,462,518 euro.

Në krahasim me vlerësimin e dorëzuar nga DTP, shuma e miratuar  nga Qeveria paraqet një dallim prej mbi 12 milionë euro shtesë në vlerësim.

Ky dallim vie për shkakun se për disa parcela me pronarë specifikë, në tabelat e miratuara nga Qeveria që dallojnë nga vlerësimi fillestar, është bërë  dyfishimi i vlerës së shpronësimit duke rezultuar kësisoj në fryrje të kostos së përgjithshme të shpronësimit, dhe potencialisht në dëmtim të buxhetit.

Si Ministri, jemi të gatshëm që, përveç raportit të auditimit, t’i ofrojmë prokurorisë bashkëpunim të parezervë për t’u siguruar që keqbërësit të vihen para drejtësisë.

Qytetarët duhet të ndihen të sigurt se ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm me paranë publike dhe jemi të përkushtuar që rastet e tilla të dërgohen para organeve të rendit.

MFPT, në linjë me prioritetet e Qeverisë, do të vazhdojë punën në mënyrë transparente e llogaridhënëse për të krijuar një sistem të qëndrueshëm  e të besueshëm të menaxhimit të financave publike.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2021

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon diten e dytë të edicionit te 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Shfaqet video programi "Pranverë e përhershme, behar i vonuar" nga Protocinema në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi. (Kino Lumbardhi, ora 12:00)

- Mbahet dita e dytë e edicionit te tretë te festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 15:00)