17 Janar 2022

Kryeministri Kurti premton ta nxjerr Telekomin nga kriza

Prishtinë, 10 janar - Ne jemi të interesuar që Telekomin, Valën ta bëjmë lider në Kosovë, ashtu siç ka qenë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Telekomin e Kosovës. Ai theksoi se për këtë arsye Qeveria ka dhënë mbështetje financiare në vitin që e lamë pas.

Për vitin 2022 jemi të interesuar që bashkërisht, edhe Qeveria edhe Telekomi i Kosovës ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza dhe ta vendosim në binarët e zhvillimit për të mirën e qytetarëve të Republikës si konsumatorë dhe të shtetit të Kosovës.

Bordi, menaxhmenti dhe punëtorët e Telekomit të Kosovës, u përgëzuan nga kryeministri  për punën dhe angazhimin që e kanë bërë gjatë vitit 2021, por edhe më herët. Shumë prej punëtorëve këtu e kanë rimëkëmbur Telekomin e Kosovës, pas çlirimit të vendit, ndërsa para më shumë se një dekade i sillnin dividendë milionëshe buxhetit të Kosovës, tha kryeministri.

Së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kryeministri Kurti takoi anëtarët e bordit dhe menaxhmentit të kësaj ndërmarrje publike, si dhe vizitoi centralin, ku takoi inxhinierët që mundësojnë operimin e Telekomit të Kosovës.

U ritheksua zotimi i Qeverisë për t’i përkrahur ndërmarrjet publike, dhe në veçanti Telekomin e Kosovës, duke pasur pritje të larta nga bordet e reja dhe strukturat e reja menaxheriale, në veçanti për vënie të ligjshmërisë e ndaljes së keqpërdorimeve, që i kanë karakterizuar ndërmarrjet në të kaluarën, ngritjes së performancës dhe të konkurrueshmërisë, si dhe uljes së shpenzimeve operative.

U theksua se Telekomi i Kosovës është ndër ndërmarrjet publike kryesore që do të vazhdojë të ketë vëmendjen e Qeverisë, jo vetëm sepse operon me infrastrukturë kritike të telekomunikimit, por edhe sepse në shumë mënyra përfaqëson dhe është shembull për atë çfarë ka ndodhur me ndërmarrjet publike në Kosovë. Telekomi i Kosovës, një nga ndërmarrjet më të suksesshme publike për shumë vite, ka arritur në një pikë kritike, për shkak të keqpërdorimeve, kontratave të dëmshme, e punësimeve jomeritore.

Në takim u falënderua në veçanti kryeshefja e Telekomit të Kosovës, znj. Burbuqe Hana për punën e saj, që Telekomi i Kosovës të rikthehet ku e ka vendin, si epiqendër e telekomunikacionit në Kosovë.

U bisedua për performancën e kësaj ndërmarrje gjatë vitit 2021 dhe planet për të ardhmen, që do të sigurojnë që Telekomi i Kosovës të përmirësojë konkurrueshmërinë në treg.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2022

-  Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën më temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  do të shënojë Janarin e Përflakur më çrast do të mbahet tribunë e hapur në të cilën do të ketë dy ligjërata "Flakadanët e lirisë" dhe Jusuf Gërvalla - Atdhetari dhe krijuesi. (Amfiteatrin i Universiteti të Gjilanit, ora 11:00)  

- Partia Socialdemokrate do të mbaj konferencë për media lidhur me projektligjin për inspektime të propozuar nga Qeveria e Kosovës. (Zyra e PSD-së, në rrugën Bajram Kelmendi, ora 13:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' mbahet akademie e Flakës 2022. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 17:00)

 

- Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shkëlqesia e Tij, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, organizon Akademinë Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ora 17:00)

- Hapet ekspozita kolektive e artit pamor. (Galeria e qytetit të Gjilanit, ora 19:00)