29 Mars 2024

Gjermania e interesuar ta ndihmoj Mitrovicën

Mitrovicë, 26 shkurt  - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka zhvilluar një takim pun me një grup ekspertësh nga Gjermania, të cilët merren me planifikimin dhe zgjidhjen e problemeve të transportit urban nëpër qytete të ndryshme evropiane. 

Në këtë drejtim ata kanë shfaqur interesim për të ndihmuar edhe qytetet e Kosovës, në radhë të parë Mitrovicën, duke pasur parasysh rrethanat specifike me të cilat përballet kjo komunë.

Kryetari Kastrati, ka thënë se problemet sa i përket transportit urban në këtë qytet, ashtu si në shumicën e qyteteve të vendit janë të mëdha, meqë nuk ka transport të organizuar. “Pas lufte ky segment nuk ka qenë i organizuar dhe transporti është mbuluar nga taksitë. Duke pasur parasysh papunësinë e madhe, shumë njerëz janë përpjekur që nëpërmjet punës me taksi të sigurojnë ekzistencën për familjet e tyre”. 

Kastrati ka theksuar se gjendja është kaotike, meqë numri i taksive është shumë i madh, përderisa nuk ka një kompani të licencuar e cila do të t’i barte udhëtarët me autobus, në mënyrë që sado pak të lehtësohej qarkullimi nëpër rrugët e qytetit. 

Duke përshkruar me tej situatën sa i përket transportit urban, kryetari Kastrati, ka thënë se në këtë gjendje kanë ndikuar edhe rrethanat politike, meqë lëvizja dhe qarkullimi nga jugu në veri dhe anasjelltas nuk ka qenë i lirë. 

Në këtë kontekst, ai tha se do të ishte shumë me rëndësi që të gjendeshin mundësi që të organizohej transporti urban në gjithë qytetin, meqë në këtë mënyrë edhe do të relaksoheshin marrëdhëniet ndëretnike dhe poashtu do t’u krijonte mundësi qytetarëve që të qarkullonin më lehtë.

Kryetari Kastrati ka theksuar se forma më e mirë për organizimin e transportit urban në gjithë qytetin është që të gjenden fonde që transporti të bëhet falas, duke pasur parasysh edhe gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve mitrovicas. 

Ekspertët gjermanë e kanë vlerësuar si shumë interesante këtë ide dhe kanë thënë se do të intersohen në strukturat e Bashkimit Evropian për mundësinë e gjetjes së fondeve. Ata kanë thënë se ky është një projekt i realizueshëm që kërkon qasje serioze.

Fridrih Hans, i cili ka kryesuar delegacionin e këtij grupi ekspertësh, tha se ata fillimisht janë të interesuar të mësojnë për gjendjen aktuale sa i përket funksionimit të transportit urban dhe më pas të bëjnë një plan për organizimin e tij. 

Ai është interesuar për gjendjen e rrugëve, parkingjeve, numrit të banorëve mandej taksive etj. Hans ka thënë se duke marrë parasysh gjendjen ekzistuese duhet të mendohet që taksistët aktualë të integrohen në atë plan në mënyrë që të mos mbeten pa punë. 

Të dyja palët janë pajtuar që të vazhdojnë punën dhe përpjekjet e përbashkëta që të organizohet transporti urban në Mitrovicë. 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)