24 Maj 2022

Formohet Komisioni për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren - Tetovë

Prishtinë, 27 tetor - Sot, në Ndërtesën e Qeverisë, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mbajtën konferencë për media në lidhje me Vendimet e Mbledhjës së 42-të të Qeverisë.

Në bazë të Memorandumit të bashkëpunimit, sot në Mbledhjen e Qeverisë, u miratua formimi i Komisionit për vlerësimin e studimit të fizibilitetit për rrugën Prizren - Tetovë, një aks tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Formimi i komisionit të përbashkët do të mundësojë që paralelisht të krijohen kushtet e duhura që do të kontribuojnë në ndërtimin e rrugës në përgjithësi, krijimin e lidhjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme të transportit për njerëzit dhe bizneset në mes të dyja vendeve, në veçanti për lidhjen e parqeve nacionale, qendrave turistike dhe korridoreve rrugore, dhe po ashtu në shkurtimin e rrugës Prizren - Tetovë.

Lidhur me rëndësinë që e ka projekti i rrugës Prizren - Tetovë, Ministri Aliu shprehu se vendimi i sotëm i Qeverisë për krijimin e komisionit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë, është hap konkret pas marrëveshjës e cila u nënshkrua në Shkup në mes të dy kryeministrave, e cila ka të bëjë me realizimin e një projekti të rëndësishem, ku përpos që lidh dy qytete si Prizrenin dhe Tetovën, lidh në fakt edhe dy korridore shumë të rëndësishme që është korridori i 8-të, që nga Shkupi mbërrin në Durrës përmes Librazhdit, pikës Qafë-Thanë dhe korridorit të rrugës së Kombit nga Prishtina në Tiranë, e më pas këto dy korridore mund të lidhen mes vete përmes rrugës Prizren-Tetovë.

Studimet e parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve në Republikën e Maqedonisë, dhe me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy Qeverive në Shkup, e po ashtu me vendimin e sotëm do të filloj puna konkrete teknike drejt përfundimit të punimit të këtij fizibiliteti dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge.

Pra, për më pak se një vit kemi arritur në faza shumë konkrete të realizimit të projektit dhe kjo më bën të lumtur dhe jam falënderues ndaj të gjithë Ministrave dhe Anëtarëve të kabinetit që sot e votuan këtë propozim-vendim.”

Për më shumë Ministri Aliu tha se në bazë të studimit të parafizibilitetit të realizuar deri më tani janë tre variante, bëhet fjalë për variantet në të cilat tunelet janë të ndryshme, lartësia mbidetare dhe kushtet në teren përcaktojnë këto variante, ku është varianti më i gjatë tuneli 6.4 kilometra dhe është mbi fshatin Manastiricë nga ana e Republikës së Kosovës dhe kalon në anën tjetër afër fshatit Bozovcë në Republikën e Maqedonisë dhe ku pastaj përmes Brudecit mund të lidhemi në Tetovë.

Ndërsa deri në fshatin Manastiricë janë të shqyrtuara variantet të cilat nga ky fshat të qojnë në Reçan dhe në Prizren e poashtu edhe varianti tjetër nga Manastirica në Zaplluzhë deri në daljen jugore të autostradës Prizren-Prishtinë.

Për tu realizuar kjo rrugë, janë shqyrtuar dokumete të shumta nga të dy anët, në mënyrë që mos të cenojmë hapësira e sipërfaqe të cilat mund të rrezikojnë vlerat natyrore të parkut nacional të Sharrit.

"Nga të dy anët, si pjesa e parkut nacional Sharri nga ana e Republikës së Maqedonisë, po ashtu nga ana e Republikës së Kosovës, ka plane hapësinore të cilat e parashohin realizimin e kësaj rruge dhe evitimin e zonave strikte, prandaj është edhe i domosdoshëm varianti me tunel më të gjatë. Këtë vit patëm zotim për rrugën Prizren-Tetovë, në afat rekord, po këtë vit po nisin punët në drejtim të realizimit të këtij projekti”, ka theksuar Aliu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2022

- Koalicionit për Transparencë dhe Integritet i themeluar dhe mbështetur nga KFOS-i, do të organizojë tryezë me temën “Pazari me tema të diplomës” ku do të diskutohet lidhur me shit-blerjen e temave të diplomës. (Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, ora 9:30)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës” ku të ftuar janë edhe Kryesuesi i Brodit dhe Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton raportin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit dhe Projektligjin për Akcizën në Produktet e Duhanit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mban dëgjim publik për Projektligjin për Produktet Biocide. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës organizon ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore, projekt i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. (Stadiumi i Qytetit në Shtime, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ prezanton Sistemin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë, para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- OJQ Aktiv prezanton publikimin “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet debati me temën “Liritë e mediave dhe pozita ekonomike e gazetarëve në Kosovë”. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti voton raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së, të IADK-së dhe të Komunës së Shtimes vizitojnë Florije Bislimin, njëra nga përfitueset e projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”. (Fshari Godanc në Shtime, ora 11:40)

- Në kuadër të programit dhe ekspozitës Babylonian Vision të artistes Nora Al-Badri qe qëndron e hapur në Galeria 17 mbahet diskutim me temë "Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi i muzeve". (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Rrjeti i Biznesit të Globit. (Vali Ranch në Gjilan, ora 18:30)