24 Tetor 2021

Fillon zbatimi i vendimit për pajisje me targa të përkohshme të automjeteve me targa të Serbisë

Prishtinë, 20 shtator - Në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës lidhur me nisjen e zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme që obligon të pajisen me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

“15 shtatori i vitit 2021, ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat, përveç atyre “RKS”. Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021, ka ndërprerë dhënien e tabelave “KS” sepse nga kjo datë këto tabela nuk janë më valide”, tha kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.

Ai i siguroi qytetarët e Republikës së Kosovës se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë, por vetëm zbatohet një marrëveshje për të cilën është pajtuar Serbia me ndihmën e Bashkimit Evropian, duke i lutur qytetarët serbë që të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë, pa shqetësime dhe brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë.

“Sikurse dje, sot por edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga unë si kryeministër i saj. Pres nga të gjithë qytetarët që ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodhë asgjë e jashtëligjshme apo diskriminuese."

"Sot, vetëm po fillon zbatimi i një marrëveshjeje për të cilën është pajtuar Serbia me ndihmën e Bashkimit Evropian, sepse liria e lëvizjes është edhe e drejtë njerëzore e civile, por edhe vlerë evropiane”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti përfundoi fjalën e tij duke thënë se trajtimi i barabartë nëpërmjet këtyre tabelave të përkohshme që nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër, do të vazhdojë për aq kohë sa pala serbe të veprojë njësoj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)