24 Maj 2022

Filloi fundi i zhvatjes përmes homologimit, qeveria ndryshon Ligjin për Automjete

Prishtinë, 28 maj - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 14-të të rregullt, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin ajo në pajtim me Përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nr.08-P-16 të datës 17.05.2021, jep mendim lidhur me nismën Legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Me këtë nismë legjislative të këtij vendimi është përcaktuar që Projektligji duhet analizuar hollësisht në mënyrë që të adresohen rekomandimet e dhëna, të harmonizohet me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës  dhe të ndryshohet një nen, në mënyrë që të hiqet detyrimi për homologim për mjetet rrugore të reja që kanë certifikatë të konformitetit.

''Filloi fundi i zhvatjes përmes homologimit. 12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare. Qytetarëve u duhen shërbime të mira e jo detyrime të padrejta. Tash është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojnë nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L - 132 për Automjete'', ka shkruar kryeministri Kurti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2022

- Koalicionit për Transparencë dhe Integritet i themeluar dhe mbështetur nga KFOS-i, do të organizojë tryezë me temën “Pazari me tema të diplomës” ku do të diskutohet lidhur me shit-blerjen e temave të diplomës. (Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, ora 9:30)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës” ku të ftuar janë edhe Kryesuesi i Brodit dhe Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton raportin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit dhe Projektligjin për Akcizën në Produktet e Duhanit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mban dëgjim publik për Projektligjin për Produktet Biocide. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës organizon ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore, projekt i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. (Stadiumi i Qytetit në Shtime, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ prezanton Sistemin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë, para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- OJQ Aktiv prezanton publikimin “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet debati me temën “Liritë e mediave dhe pozita ekonomike e gazetarëve në Kosovë”. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti voton raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së, të IADK-së dhe të Komunës së Shtimes vizitojnë Florije Bislimin, njëra nga përfitueset e projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”. (Fshari Godanc në Shtime, ora 11:40)

- Në kuadër të programit dhe ekspozitës Babylonian Vision të artistes Nora Al-Badri qe qëndron e hapur në Galeria 17 mbahet diskutim me temë "Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi i muzeve". (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Rrjeti i Biznesit të Globit. (Vali Ranch në Gjilan, ora 18:30)