01 Korrik 2022

Bordi vendos për shpalljen e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së

Prishtinë, 17 maj - Në mbledhjen e datës 17 maj, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës aprovoi rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së.

Rregullorja përmban gjithsej 26 nene duke rregulluar dhe përcaktuar procedurat, kriteret, kushtet e veçanta, procedurat e vlerësimit dhe ato të intervistimit të anëtarëve të menaxhmentit të lartë nisur nga drejtori i përgjithshëm i transmetuesit publik.

Si i tillë, ky dokument është hartuar nga një grup punues brenda RTK-së i krijuar për këtë qëllim dhe është shqyrtuar në disa takime nga Bordi i RTK-së. Gjithashtu, rregullorja iu është dërguar për komente shtesë palëve të interesit si sindikatave të RTK-së dhe organizatave të shoqërisë civile të cilat e monitorojnë punën e bordit.

Gjatë procedurës së shqyrtimit të rregullores, Bordi i RTK-së ka pranuar komente nga Lëvizja FOL dhe nga Zyra e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, të cilat i ka shqyrtuar dhe disa nga komentet i ka përfshirë në rregullore në prani edhe të organizatave monitoruese.

Pas miratimit të Rregullores për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së, Bordi në këtë mbledhje ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së.

Bordi e ka autorizuar administratën e RTK-së që ta shpallë konkursin për Drejtor te Përgjithshëm të RTK- së me datën 23.05.2022.

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)