18 Prill 2024

Bordi i RTK-së kërkon hetime nga Prokuroria për gjetjet e Auditimit

Prishtinë, 21 qershor - Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, raportuan kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini si dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Raportimi kishte të bënte me raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitet 2019, 2020 dhe 2021,  si dhe raportin e Auditimit të performancës së  menaxhimit të  fondeve publike në RTK-së.

Deputeti Eman Rrahmani nga LVV-ja ka paraqitur disa nga gjetjet e ZKA-së,  duke i theksuar disa nga pikat ku përmend mënyrën e punësimit, avancimeve e evidentimit të punonjësve.

Deputeti Rrahmani tha se këto e kanë dëmtuar buxhetin. Ai tha se duhet të merren në konsideratë edhe rekomandimet e dhëna në raport.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se ky organ drejtues i RTK-së, pajtohet me të gjitha gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit.

“Edhe publikisht e ftoj Prokurorinë të merret me këtë çështje”, tha Boletini, sipas të cilit,  Bordi i RTK-së, do të mirëpriste krijimin e një Komisioni Hetimor  Parlamentar për RTK-në.

“Nuk do të merremi vetëm me të kaluarën, por do të punojmë shumë për të ardhmen. Megjithatë, janë disa segmente që duhet shikuar edhe në të kaluarën”, tha Boletini para anëtarëve të Komisionit parlamentar.

Boletini tha se nga ZKA-ja ka  dhënë nëntë rekomandime, disa janë adresuar e disa kërkojnë kohë, por garantoi se  vitin tjetër, raporti do të jetë dukshëm më i mirë.

Kryetari i Bordit të RTK-së tha se një gjetje shqetësuese ka qenë rasti me  239 persona me kontrata mbi shërbime dhe në masë të madhe, ato ishin për pozita që konsideroheshin për nivele të rregullta.

“Nga 31 marsi nuk janë vazhduar këto kontrata. Mund të ketë kontrata të tilla për dy javë ose një muaj kur janë të nevojshme për RTK-në, por jo të tilla në kohë të gjatë”, tha Boletini, duke konsideruar se kjo çështje është zgjidhur.

Ai tha se të gjitha kontratat për shërbime ishin pa konkurs. Boletini tha se të gjithë këta persona që nuk janë më, janë mbuluar me staf të brendshëm.

“Për ndonjë nevojë, mund të rekrutohet ndonjë  numër i vogël, por do të jetë mbi baza të meritokracisë”, tha Boletini. “Nuk ka avancime pa përformancë të duhur”.

Ai tha se janë dizajnuar formularët e rinj për kërkesë për avancime. “Janë ndërprerë praktikat e avancimeve për personat e pakualifikuar”.

Boletini tha se do të krijohen grupe punuese brenda RTK-së për hartim ndryshimin e rregulloreve të brendshme.

Ai tha se janë mbi 20 rregullore, por duhet shqyrtuar me kujdes dhe kjo gjetje e ZKA-së do të adresohet përgjatë vitit.

Boletini tha se në vitin 2016, menaxhmenti i kaluar, i ka lejuar të mos i nënshtrohen vijueshmërisë në punë, 58 drejtuesve të lartën dhe ky vendim tashmë është shfuqizuar.

“Ka pasur vendime të Bordit që nuk janë  respektuar nga menaxhmenti i kaluar. E tash nuk do të ketë asnjë alternativë të tillë që vendimet e Bordit të mos zbatohen”, tha kryetari i Bordit të RTK-së.

Boletini ha se në fillim të korrikut, për aq sa ka buxhet, do të shpallet konkursi për veprat audio-vizuale, e krejt kjo sipas rekomandimit të raportit të ZKA-së.

Boletini u shpreh se  rreth 70% e rekomandimeve të ZKA-së, tashmë janë adresuar e disa të tjera kërkojnë më shumë kohë. “Por ne do të shkojmë edhe më tutje dhe çdo çështje që do të dalë, do ta adresojmë”.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj deklaroi se është adresuar edhe  keqpërdorimi i shujtave, si e gjetur në raportin e ZKA-së.

 “Nga gushti do të paguhet vetëm për ata që plotësojnë orarin e punës prej tetë orëve”, tha Ahmetxhekaj.

Deputeti Eman Rrahmani tha se gjetja e ZKA-së tregon për përzgjedhjen e drejtorit të TV-së,  që ishte me mangësi krahasuar me drejtorin e zgjedhur. Për këtë cështje ai kërkoi sqarim si dhe pyeti për përformancën e tij.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se ky organ ka kompetencë vetëm mbi drejtorin e përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët janë nën mbikëqyrjen e këtij të fundit.

Zyrtarja e Zyrës Kombëtare të Auditimit tha se pret që RTK-ja duhet t’ia dërgojë planin e veprimit, kurse kryetari i Bordit, Besnik Boletini u shpreh se  brenda afateve ligjore, do ta kenë një të tillë, pasi ka edhe dy javë kohë.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini rikujtoi se kontratat për shërbime mund të ketë edhe në të ardhmen, por vetëm sipas ligjit dhe të cilat janë në favor të RTK-së.

“Ka dy moderatorë që janë me kontratë mbi shërbime, për paguhen aq sa punojnë. Kontrata të tilla për shërbime nuk do të ketë për pozita të rregullta të punës”, tha Boletini.

Ai tha se Bordi ka kompetenca direkte vetëm mbi drejtorin e përgjithshëm kurse për gjetjet e ZKA-së, do të zbatohen të gjitha rekomandimet dhe nuk ka alternativë.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj sqaroi edhe rastin e dy moderatorëve të RTK-së, që nuk kanë kontrata të rregullta pune, por janë figura ikonë të televizionit.

“Madje njeri nga ta nuk e ka ditur që ka kontratë të tillë. Të dytë janë pak para pensionimit. T’i shkëpusim kontratat e dy figurave që janë ikonë, pak para pensionit, besojmë se bëjmë shkelje sepse sipas ligjit, dikush që punon 10 vjet me kontratë për shërbime, duhet ofruar kontratë. Jemi duke folur për persona që janë pak para pensionimit. Kur janë pranuar në RTK, i janë nënshtruar një konkursi publik e më pas në vitin 2016, janë shndërruar në kontrata për shërbime sepse ka pasur politikë tjetër, që të bëhen punësime në masë”, tha Ahmetxhekaj.

Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit, deputetja Hykmete Bajrami tha se në  momentin që një i punësuar i kalon 10 vite në institucion, atëherë ai  automatikisht e fiton të drejtën e punësimit të përhershëm. “E institucioni nëse  ka bërë shkelje, mund të penalizohen përgjegjësit”, tha Bajrami.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, u shpreh se nuk është në dijeni se ka persona të tjerë që kanë pasur 10 vite punë me kontrata të tilla, por siguroi Komisionin se do të shikojnë edhe një herë.

Nga ana e tij, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, u shpreh se në vitin 2016, ka qenë inspektorati i punës  në RTK dhe ka evidentuar parregullsi për kontrata mbi vepër. Inspektorati, sipas tij,  ka rekomanduar që kjo çështje të adresohet.

“RTK  pastaj ka ndryshuar ato kontrata duke i bërë në kontrata për shërbime”, tha ai. Sipas tij, për këtë arsye nga viti 2016, nuk ka pasur kontrata mbi vepër, por kontrata për shërbime.

“Jemi për zbatim të plotë të ligjshmërisë dhe nuk do të ketë asnjë rezistencë nga RTK”, tha Boletini.

Ai rikujtoi se për rreth 3 vite, menaxhmenti i kaluar dhe ish drejtori i i përgjithshëm i RTK-së, nuk ka hapur konkurse për të plotësuar nevojat e RTK për staf të rregullt, por i ka mbajtur me kontrata të tilla.

Deputeti Hajdar Beqa kërkoi informacione mbi cilësinë e programeve të RTK-së dhe për faktin e mos transmetimit të ndeshjeve të kombëtares së Kosovës në futboll.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Bensik Boletini, tha se askush nuk është larguar nga puna, por  me terme juridik, asnjë nga 239 personat,  nuk kanë qenë as punëtorë të RTK. “Ata kanë qenë të angazhuar”, tha ai.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, deklaroi cilësia në program, është rritur pasi me stafin dhe buxhetin aktual, ka emisione të reja shumë më cilësore. Njëkohësisht, ai shpjegoi se për të fituar të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kosovës në futboll, në mungesë të financave RTK nuk ka mundur të blejë të drejtat e transmetimit.’ Por kjo nuk do të thotë se jemi dorëzuar. Jemi duke u munduar të gjejmë një zgjidhje”, tha ai.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, deklaroi se buxheti aktual i RTK-së është 2.2 milionë euro më pak sesa vitin e kaluar.

“Kjo është sfidë edhe pse kemi kursyer 790 mijë euro dhe  kemi racionalizuar. Ka pasur një peshk që 32 euro është paguar në RTK. Përmirësimet nuk do të ndodhin shumë shpejt. Do t’i bëjmë kërkesë Kuvendit për mjete shtesë e presim përkrahje sepse ka 20 vite që nuk janë ndërruar pajisje teknologjike. Ka kompjuterë që nuk janë ndërruar për 10 vjet. Ajo që ka bërë të mirë drejtori paraprak është se ka paguar borxhe, por ka mungesë të blerjes së teknologjisë”, u shpreh ai.

Kryetari i Bordit u pyet nga anëtarja e Komisionit, Albana Bytyqi, edhe për rastet kur vozitësi është avancuar në zyrtar në prokurorit apo grimerja që është avancuar në zyrtare për burimet njerëzore. Të gjitha këto, të evidentuara në raportin e ZKA-së.

Për të gjitha rastet, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, deklaroi se kanë ndodhur viteve të kaluara dhe se do të adresohen, në përputhje me ligjin, në mënyrë që buxheti i RTK-së të mos dëmtohet eventualisht nga paditë në gjykatë.

“ Sepse nëse  i degradojmë mund t’i humbim rastet në gjykatë sepse pala mund të thotë se nuk kam faj që jam avancuar. Por kjo është dukuri në RTK”, tha ai, duke njoftuar se janë shkëputur kontratat edhe me 8 të punësuar në RTK që nuk kanë shkuar asnjëherë në punë dhe kanë marrë pagë.

Boletini kërkoi edhe opinion të ZKA-së se si të veprohet me avancimet e tilla, por Myrvete Gashi nga ZKA-ja tha se ky institucion nuk jep rekomandime specifike  pasi është në kompetencë të menaxhmetit që ta vlerësojë situatën.

Deputeti Rashit Qalaj pyeti nëse  këto gjetje janë faktike, dhe se është bërë dukuri që të shqyrtohen raportet e auditivit, pa planin e veprimit, opinion me të cilin u pajtua edhe kryetarja e Komisionit, deputetja Hykmete Bajrami

Kryetari i Bordit dhe drejtori i përgjithshëm u pyetën edhe për një raport të Institutit GAP, sipas të cilit rreth 50 për qind e të punësuarve në RTK kanë paga mbi 1 mijë euro në muaj.

Megjithatë, drejtori i përgjithshëhm, Shkumbin Ahmetxhekaj deklaroi e bazuar në të dhënat e Zyrës së Financave në RTK, rezukton se vetëm 15 për qind e tyre kanë pagë bruto mbi 1 mijë euro në muaj kurse 8 përqind pagë neto mbi 1 mijë euro në muaj.

“Por do ta shqyrtojmë edhe me institutin GAP për të parë se ku i kanë marrë këto të dhëna”, tha Ahmetxhekaj.

Përplasje pati gjithashtu herë pas here mes anëtarëve të Komisionit, por edhe mes tyre dhe drejtorit të Bordit të RTK-së.

Këtë të fundit, deputeti Rashit Qalaj e pyeti në një rast për arsyen e raportimit nga ana e tij, kur sipas deputetit, ai nuk ka kompetencë për ta bërë këtë, por drejtori i përgjithshëm.

Përgjigje mori menjëherë nga Boletini, sipas të cilit, ajo praktikë ku raporton drejtori para deputetëve, ka marrë fund.

“Praktika kur drejtori ka qenë edhe shef i Bordit ka marrë fund. Sa të jem kryetar i Bordit, shef jam unë”, tha ai.

Boletini e Ahmetxhekaj u pyetën edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me punën e RTK-së përgjatë viteve të kaluara, bazuar në të gjeturat e ZKA-së, të evidentuara në raportet zyrtare mbi të cilat mund të fillojnë hetimet e mundshme.  Ata shprehën gatishmërinë për një gjë të tillë.

/RTK/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)