07 Shkurt 2023

Sistemet TI-së në KRU “Prishtina” do t’i nënshtrohen auditimit nga ZKA

Prishtinë, 2 dhjetor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Sistemet e Informacionit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a”.

Qëllimi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes sigurohet se burimet e Teknologjisë së Informacionit, mbështesin qëllimet dhe strategjinë e ndërmarrjes duke ofruar një mjedis efektiv për të ruajtur integritetin e të dhënave dhe vazhdimësinë e sistemeve të TI-së.

KRU-Prishtina ofron shërbimet e ujit dhe kanalizimit për komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit dhe Graçanicës.

Kjo kompani është ofruesi më i madh i shërbimit të ujit në Kosovë që ka të regjistruar 153,509 konsumatorë apo 37% nga totali i konsumatorëve në të gjithë Kosovën.

Me qëllim të zhvillimit të veprimtarisë së kompanisë, arritjes së objektivave të saj dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarë, KRU Prishtina aplikon sistemet e teknologjisë së informacionit dhe investon në këtë fushë.

Prandaj, përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të ofrojë rekomandime relevante për KRU Prishtina, në mënyrë që të përmirësohet qeverisja, menaxhimi i TI-së dhe siguria e informacionit.

Fushëveprim i këtij auditimi do të mbuloj gjendjen aktuale të teknologjisë së informacionit në këtë ndërmarrje, me fokus në mekanizmat e vendosura nga strukturat udhëheqëse të ndërmarrjes për të menaxhuar burimet e TI-së.

Për të vlerësuar nëse janë dizajnuar kontrollet e aplikacioneve në atë mënyrë që të sigurojnë se sistemet e informacionit në KRU Prishtina pranojnë vetëm të dhëna të vlefshme dhe të proceduara nga personeli i autorizuar, do të testohet gjendja aktuale e aplikacioneve si dhe do të verifikohen të dhënat e regjistruara gjatë viteve 2021- 2022.

Për më tepër ky është auditimi i parë paralel në mes të ZKA-së dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH) në fushën e teknologjisë së informacionit, me ç'rast të dy institucionet supreme të auditimit do të auditojnë sistemet e teknologjisë së informacionit të ujësjellësve respektiv, në Tiranë dhe Prishtinë.

Ekipet e auditimit në vazhdimësi do të komunikojnë dhe shkëmbejnë përvoja lidhur me këto auditime.  





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 shkurt 2023

 - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport, shqyrton Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 10:00)
    
- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Planin e Performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)
    
- Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizon ceremoninë për nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale për Gjilanin, që është zotim i përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të Komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (Shkolla e Mesme e Muzikës, Gjilan, ora 12:00)
    
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Temë diskutimi është plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, do të dorëzojë Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. (Ndërtesa e Prokurorisë, ora 14:00)  
    
- Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. I pranishëm do të jetë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Akademia për Siguri Publike, Vushtrri, ora 14:25)