29 Mars 2024

Shkencëtarët zbulojnë teknologjinë për të transmetuar të dhënat nëpërmjet dritës

New York, 17 prill - Valët radiofonike përdoren në shumicën e paisjeve që komunikojnë nëpërmjet frekuencave për të shkëmbyer të dhënat. Por, informacioni në rritje mund të ngadalësojë procesin.

Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, një shkencëtare po përdor komunikimin me rrezet e dritës për të transmetuar informacionin.

Siç njofton Zëri i Amerikës kjo metodë është më e shpejtë dhe më e sigurtë se nëpërmjet valëve të radios.

Studiuesja e shkencave kompjuterike Xia Zhou ka gjithnjë në mendje trafikun e rënduar të shkëmbimit të të dhënave.

“Problemi krijohet nga nevojat vazhdimisht në rritje për shkëmbim të dhënash mes paisjeve gjithnjë e më të shumta që zotërojmë sot”, thotë zonja Xia.

Po rritet numri i paisjeve pa tela dhe ndërsa shtohet trafiku i shkëmbimit të të dhënave, po ashtu krijohet edhe mbingarkesë.

Shumica e informacionit transmetohet nëpërmjet radiofrekuencave, të cilat nuk mjaftojnë për të gjitha paisjet kompjuterike që po ndërlidhen.

“Në komunikimin e sotshëm përdorim radiovalët. Ideja ime është që të shqyrtojmë mundësinë e komunikimit nëpërmjet spektrit të dritës së dukshme”, thotë zonja Xia.

Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, zonja Xia dhe një ekip i Kolegjit Dartmouth po zhvillojnë teknologjinë e quajtur Li-Fi, për të transmetuar të dhënat duke përdorur paisjet e ndriçimit në shtëpitë tona.

“Ideja është që t’i shndërrojmë llampat në transmetues të dhënash nëpërmjet variacioneve të dritës”, thotë zonja Xia.

Me montimin e një moduli të vogël, çdo llampë LED mund të shndërrohet në një paisje komunikimi në distancë.

“Ka një spektër shumë më të gjerë komunikimi. Është gjithashtu shumë më e sigurtë, pasi drita nuk mund të penetrojë muret. Pra, mund ta izolosh komunikimin brenda një dhome pa u shqetësuar se mund të përgjohet nga të tjerë”, thotë zonja Xia.

Mund të funksionojë madje edhe në errësirë, duke përdorur të ashtuquajturën “dritën e errët”.

“Lëshojmë impulse shumë të shkurtra nga llampat LED, të cilat janë të pakapshme nga sytë tanë, por që kapen nga sensorë që mundësojnë kështu transmetimin e të dhënave”, thotë ajo.

Kjo teknologji gjithashtu mundëson shkëmbim informacioni thjesht nëpërmjet gjesteve në ajër. Kjo do të ketë përdorim gjithnjë e më të madh, ndërsa vazhdojnë të prodhohen paisje me përmasa më të vogla.

Dritat në tavan p.sh. mund të pikasnin të gjitha lëvizjet e trupit tonë. Ekipi e ka testuar këtë lloj sistemi për të kontrolluar ndërveprimin në realitetin virtual, por potenciali i tij shtrihet përtej lojërave elektronike.

“Nëse infrastruktura në mjedisin që na rrethon, është gjithnjë e informuar për lëvizjet e trupit tonë, atëherë mund të komunikojmë pa patur asnjë paisje në trup”, thotë zonja Xia.

Teknologjia LI-FI kufizohet nga pamundësia për të përçuar muret.

Kjo do të thotë që çdo llampë në godinë duhet të jetë e lidhur individualisht me internetin, gjë që do ta shtonte shumë koston. Megjithatë, në të ardhmen ndoshta llampat e lidhura me internetin do të vendosen në të gjitha ndërtesat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)