23 Shtator 2021

Prokuroritë dhe Policia bëjnë ndërlidhjen e sistemeve elektronike

Prishtinë, 10 dhjetor - Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë lansuar ndërlidhjen e sistemeve për shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike, sistem ky, i cili është ndër më të avancuarit në rajon.  

Hapja e ceremonisë së lëshimit të këtij sistemi është bërë nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Hyseni, ka thënë gjatë kësaj ceremonie se digjitalizimi i procesit të punës në të gjitha prokuroritë e vendit është një ndër synimet e sistemit prokurorial, ngaqë do të rezultojë me një sistem prokurorial më transparent, llogaridhënës dhe të besueshëm, me ç’rast prokuroritë do të jenë shumë më efikase në procedurat dhe zbatimin e afateve kohore për zgjidhjen e lëndëve.

Me tej, Kryesuesi Hyseni, tha së ndërlidhjet e sistemit elektronik janë bërë me Regjistrin Civil dhe Regjistrin e Bizneseve, ndërsa, sot, bazuar në marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit lëshohet ndërlidhja e sistemeve elektronike të prokurorive dhe Policisë së Kosovës.

“Nga kjo do të ketë përfitime të shumta për të dyja institucionet, duke filluar nga kursimi i kohës për dorëzimin e lëndëve në kopje fizike, kursimi që bëhet gjatë kopjimit të lëndëve, në pajisjet për skanimin e lëndëve dhe resurse të tjera dhe, ç'është më kryesorja nuk mund të humbin apo të fshihen të dhënat e dërguara dhe të pranuara”, ka theksuar Hyseni.

Ndërkaq, Drejtori i  Policisë, Qalaj, ka thënë se ndërlidhja e sistemeve elektronike me prokuroritë do të ketë ndikim shumë pozitiv në shumë drejtime për Policinë e Kosovës. Sipas tij, ngritja e transparencës, shpejtësia në komunikim, menaxhimi më i mirë i kohës dhe qasja më e lehtë e qytetarëve në informata janë vetëm disa nga elementet që këtë sistem e bëjnë shumë të rëndësishëm.

Rrjedhimisht për lidhjet e sistemeve elektronike në mes të prokurorive dhe Policisë së Kosovës, ka folur edhe Zëvendësambasadorja e Norvegjisë në Kosovë, Jenny Stenberg Sørvold, vendi i të cilës ka mbështetur financiarisht projektin për sistemin e menaxhimit elektronik të lëndëve (SMIL), e cila ka vlerësuar lart punën e bërë dhe mënyrën e realizimit të këtij projekti.

Sistemi prokurorial i Kosovës synon që të bëjë ndërlidhjen elektronike edhe me gjykatat dhe portalin e tij elektronik, me ç’rast qytetarët do të kenë mundësi të mëdha për të marrë informata me kohë për numrin e lëndëve të pranuara, të zgjidhura dhe të pazgjidhura, sipas periudhës së caktuar kohore dhe prokurorisë përkatëse.     
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Shtator 2021 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 10:00)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të vizitoj Kompaninë Pastrimi në Prishtinë ku do të mbaj edhe një Konferencë për media në hapësirën e kësaj kompanie. (Kompania Pastrimi në Emshir pas stacionit të autobusëve, ora 11:30)

- Partia Socialdemokrate do të dorëzoj kallëzim penal në Prokurori. (Ndërtesa e Prokurorisë në lagjen Veternik, ora 13:00)

- Forumi i Gruas së Nismës Socialdemokrate në Malishevë mban takim elektoral, ku i pranishëm do të jetë kryetari Nismës, Fatmir Limaj dhe kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Ambienti i jashtëm i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ora 14:00)

- Dhomat e Specializuara të Kosovës organizojnë informimin javore  në të cilin do  të  japin  një  informacion  të  përditësuar  mbi zhvillimet  e  fundit  lidhur  me  procedurat  gjyqësore  dhe  veprimtaritë  e  tjera  publike  të  gjykatës. (Online, ora 14:30)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci organizon ngjarjen lansuese të projektit: Promovimi i Zhvillimit Ekonomik Rajonal përmes Akademisë se Ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia e  hapjes së Kongresit te Parë Klinik të Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)