06 Dhjetor 2022

MIN synon krijimin e punësimit përmes ngritjes së aftësive eksportuese

Prishtinë, 10 qershor - Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), Besim Beqaj ka marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për 65 profesionistët e rinj, të cilët janë certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare për CNC operatorë, automatizim të industrisë dhe efiçienca në energji.

Më këtë rast, ministri Beqaj ka thënë se  krijimi i vendeve të reja të punës, përmes promovimit të eksportit është në fokusin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

“Kjo është forma më e mirë e bashkëpunimit strategjikë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Gjermanisë, në fushën e përgatitjes së kuadrove të reja për tregun e punës”, tha ai.

Ministri Beqaj ka thënë se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, së bashku me GIZ-in nëpërmjet projektit CETEP, po i përgatisin kuadrat e reja për të punuar dhe qëndruar në Kosovë.

“Projekti CETEP është projekt për krijimin e punësimit përmes ngritjes së aftësive eksportuese. Këta sektorë ku janë aftësuar 65 profesionistë, janë të kërkueshëm në treg. Prandaj, t’i përgatisim këta njerëz për të qëndruar në Kosovë dhe për t’u bërë pjesë e ekonomisë dhe rritjes së potencialit për eksport”, ka thënë ai.

Beqaj ka bërë të ditur se kanë nisur procedurat edhe për projektin CETEP Pus, i cili sipas tij, do të ofrojë më shumë mundësi e fonde për përkrahjen e projekteve të ndryshme.

Ndryshe, Projekti CETEP, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ-it.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 dhjetor 2022

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Agjencia e Statistikave të Kosovës mban nesër takim konsultativ me Kryetar dhe përfaqësues të Komunave në Kosovë. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 9:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizojnë tryezën e rrumbullakët për reformën në Administratën Publike. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjin për Anti Dopingun. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë në Komisionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut ku do të diskutohet organizimi i kongresit botëror për personat me aftësi të kufizuara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjin për zhvillimin rajonal të balancuar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)   

- Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim mban konferencën për media në lansimin e fushatës “E Drejta për Ajër të Pastër - vrasësi i padukshëm NO2 -”. (Restorant “Rings” tek Sheshi ‘Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale organizon tryezën e rrumbullakët lidhur me punën, të arriturat dhe sfidat e Qendrave për Punë Sociale’’. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës inauguron veprën e artit në hapësira publike “Never Say Never” të artistit të mirënjohur bashkëkohor Alban Muja, e që po realizohet me mbështetje të Komunës së Prishtinës dhe MB Office. (Parku “Adem Demaçi”, ora 12:00)

- Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me dialogun dhe planin franko-gjerman. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

 - Organizata jofitimprurëse Code organizon takimin lançues “Ora e Kodit” e cila është hyrje 1 orëshe në shkenca kompjuterike e krijuar për të shpjeguar “kodimin”. (Shkolla “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, mbi publikimin e Raporteve: ‘‘Transparenca e Qeverisë’’ dhe ‘‘Transparenca në Ndërmarrjet Publike’’. (Hotel Sirius, ora 13:00)
 
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim shqyrton Projektligjin për Vlerësimin e ndikimit në mjedis, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

 

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, prezantojnë buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Podujevës. (Teatrin ”Avdush Hasani” në Podujevë, ora 17:30)