04 Korrik 2022

Lansohen shërbimet e reja elektronike në portalin e-Kosova

Prishtinë, 9 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova, që përfshijnë certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes, si dhe shërbimin për vazhdimin e regjistrimit të veturës.

Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti vlerësoi rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve të cilat do të krijojnë lehtësira për qytetarët e veçanërisht për mërgatën. Këto shifra tregojnë se portali e-Kosova si dritare qendrore për ofrimin e shërbimeve qeveritare është duke u pranuar mirë nga qytetarët tanë.

"Ne do të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve që ka për synim lehtësimin e jetës së tyre. Shërbimet elektronike janë veçanërisht të rëndësishme për mërgatën tonë, ajo ka nevojë për mundësinë e qasjes në shërbime qeveritare edhe nga largësia", tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti tha se me transformimin digjital gjithëpërfshirës synojmë avancimin, jo vetëm të administratës publike, por edhe të sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes.

Po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët dhe jemi të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit, theksoi ai.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Qeveria e Kosovës, respektivisht MPB, në kuadër të angazhimeve e objektivave të saj kryesore ka digjitalizimin e shërbimeve të administratës publike, duke synuar shërbime më efikase, më kualitative, të qasshme, e më të lira për qytetarët dhe bizneset.

Ndër prioritetet e programit qeverisës të Republikës së Kosovës 2021-2025 është edhe funksionalizimi i platformës e-Kosova, përmes së cilës çdo qytetari dhe biznesi t’i ofrohen shërbime nga institucionet publike pa prani fizike, tha ministri Sveçla.

Referuar këtij prioriteti Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe Agjencia e Regjistrimit Civil kanë arritur të digjitalizojnë disa nga shërbimet e gjendjes civile dhe të regjistrimit të automjeteve, të cilat shërbime i përkasin Ministrisë së Punëve të Brendshme, shtoi ai.

Demonstrimin e shërbimeve të lansuara sot përmes platformës e-Kosova, e bëri përfaqësuesi i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Atdhe Buja.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 korrik 2022

- Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:45)

 - Për nderë të 4 korrik 246 vjetori i Pavarsisë së SHBA zjarrfikësat e Prishtinës e pastrojnë platonë tek shtatorja e Presidentit Bill Clinton. (Sheshi Bill Clinton në Prishtinë, ora 9:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:55

- Kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova do të mbajë takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku do të ndajë informacion rreth mandatit, punës dhe zhvillimeve aktuale në Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre. (Hotel  Astoria në Gjilan, ora 10:00)

- Shoqata 'Miqtë e Amerikës' e mbështetur nga FSK, Zjarrfikësat dhe Policia e Kosovës organzon aktivitetin e radhës tashmë tradicional për nderë të 4 korrik 246 vjetori i Pavarsisë së SHBA. (Të shtatorja e Presidentit Bill Clinton, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00‪)
   
- UBT oganizon festivalin ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2022”, përmes së cilit në Kosovë po sjell profesionistë dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke organizuar samite, forume, gara, ligjërata tematike, vizita studimore, e ngjarje të ndryshme interesante për studentët dhe palët e tjera. (Parku Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, ora 18:00)