27 Janar 2023

Facebook-u gjobitet nga Britania për shkelje të privatësisë

Londër, 31 tetor - Facebook-u ka pranuar të paguajë një gjobë prej 644 mijë dollarësh për shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave, në një rast që përfshin kompaninë e konsulencës “Cambridge Analytica”. Lajmi u njoftua të mërkurën nga enti rregullator mbi të drejtat e informimit në Britani.

Drejtori i Përgjithshëm i Facebook-ut Mark Zuckerberg është marrë në pyetje nga ligjvënësit amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian që kërkonin të dinin se si “Cambridge Analytica” arriti të sigurojë të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut.

Vitin e kaluar zyra e Komisionerit për Informim i vendosi një gjobë simbolike Facebook-ut për shkak se të dhënat e të paktën 1 milion përdoruesve britanikë ishin mes atyre të mbledhura nga “Cambridge Analytica” e që ishin përdorur për qëllime politike. Të mërkurën autoritetet e kësaj zyre thanë se fakti që Facebook-u kishte hequr dorë nga apelimi i çështjes e kishte rënë dakord për të paguar gjobën, nuk do të thoshte se kishte pranuar përgjegjësinë mbi rastin.

Nga ana tjetër kompania e medias sociale tha se ishte e kënaqur që kishte arritur një marrëveshje duke shtuar se do të kishte dashur të kishte bërë më shumë për të hetuar pretendimet lidhur me “Cambridge Analytica-n” në 2015-n.

Një nga përfaqësuesit e Facebook-ut tha se "kompania ka bërë ndryshime të mëdha në platformën e saj që nga ajo periudhë, duke kufizuar ndjeshëm qasjen tek informacioni”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)