24 Maj 2022

BE finalizon projektligjin për të luftuar abuzimet në internet

Bruksel, 23 prill -  Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje e cila detyron platformat si Facebook, Twitter dhe Google që të menaxhojnë përmbajtjen e dëmshme, sikurse gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka përshkruar marrëveshjen si “historike”, e cila do të ketë shtrirje përtej Evropës.

“Rregullat e reja do të mbrojnë përdoruesit online, do të sigurojnë liri të shprehjes dhe mundësi për bizneset”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

“Çka është joligjore jashtë internetit do jetë joligjore edhe në botën virtuale në Bashkimin Evropian”, ka thënë von der Leyen.

“Një sinjal i fuqishëm për njerëzit, bizneset dhe shtetet në gjithë botën”.

Kjo marrëveshje përbën hapin më të madh të bllokut evropian në këtë fushë në 20 vjetët e fundit.

Marrëveshja nënkupton që kompanitë duhet t’iu shmangen përmbajtjeve të dëmshme siç është dezinformimi për koronavirusin, si dhe duhet të prezantojnë protokolle për të bllokuar përhapjen e materialeve të rrezikshme gjatë krizave sikurse pandemia.

Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së tani duhet të miratojnë legjislacionin e ri, para se të nisë periudha tranzitore 15-mujore, e cila i hap rrugën zbatimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 maj 2022

- Instituti Demokratik i Kosovës mbanë diskutimin publik me temën “Raportet Kosovë-Serbi: Tabelat e veturave dhe një Dialog që nuk po lëvizë!” një diskutim i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile me pjesëmarrës nga politika, mediat dhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 9:30)  

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, shqyrton raportin vjetor financiar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, etj. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)

- OJQ "Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi - Inject" organizon konferencën përmbyllëse  të Projektit me titull “Sigurimi i të Drejtave Pronësore të Grave përmes rritjes së Kapaciteteve Institucionale në Kosovë”.  (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, diskuton për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, pret në takim Christopher Hyland, kontribues në Pavarësinë e Kosovës në SHBA-të dhe në prezantimin e shtetit tonë te ish-presidenti amerikan Bill Clinton. (Shtëpia e Bardhë, Prizren, ora 11:00)

- Mbahet edicioni i 21-të të panairit ndërkombëtar EXPOKOS, që i dedikohet bizneseve të sektorëve të: Ndërtimit, Energjisë, Makinerisë dhe Sigurisë dhe Mbrojtjes. Merr pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. (Pallati i Rinisë, ora 11:00)

- Mbahet Kuvendi i pestë i Partisë Eko Lëvizja e Gjelbër e Kosovës. (Hotel Grand, salla e Kuqe, ora 11:00)

- Drejtoria e Mirëqenies Sociale, në kuadër të “Fushatës vetëdijesuese për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge” organizon një kampanjë me moton “Unë s’jap lëmoshë, AS TI! & Bashkë t’i mbrojmë fëmijët në situatë rruge” me qëllim të përçimit të mesazhit se dhënia e lëmoshës cenon dhe dëmton jetën e fëmijëve në situatë rruge. (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë në shenjë pakënaqësie për mosplotësimin e kërkesave të tyre për Ligjin për Lotarinë e Kosovës dhe pagat për këta punëtorë. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike mban mbledhje. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 14:00)

- Instituti Kombëtar Demokratik organizon debatin e parë mbi politika nën temën “Në mbrojtje të demokracisë: Politikat gjithpërfshirëse të punësimit kanë rëndësi”. (Objekti i komunës së re në Prishtinë, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Drita mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Llapi mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 15:00)

 Fondacioni Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” dhe fillimin e programit të filmit LXX në ekran të madh. (Kino Bahçe në Prizren, ora 19:00)