19 Mars 2024

Ministrja Dumoshi ka pritur në takim sportistët e verbër

Prishtinë, 30 shtator - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim sportistët e verbër të cilët po zhvillojnë aktivitete në kuadër të Javës Evropiane të Sportit. Në takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, Kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës,  Njomza Emini dhe Administratorja e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Eva Havasiova.

Ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që kjo javë sportive ka bërë që të përfshihen të gjithë me aktivitete dhe që lehtësimi i masave ndaj Covid 19 ka bërë të mundur që aktivitetet sportive të zhvillohen më lehtësisht.

“Gjithëpërfshirja në aktivitete sportive për të gjithë në Kosovë është tepër e rëndësishme dhe i kontribuon një shoqërie demokratike të barabartë”, tha ministrja Dumoshi.

Ajo tutje tha se “Ju uroj për aktivitetin tuaj të shahut për të cilin keni një talent të shkëlqyer. Ju e keni përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror dhe ju keni sjellë rezultate të mira. Edhe pse Kosova është një vend i vogël ju e keni bërë të mundur që ajo të jetë në mesin e 20 vendeve të botës, e kjo është një arritje shumë e madhe për vendin, prandaj edhe mbështetja jonë për ju nuk do të mungojë.”

Sporti i personave të verbër në Republikën e Kosovës është organizuar nga Federata e Sportit për të Verbër, e cila është themeluar në vitin 2006 dhe përbëhet nga shoqatat komunale dhe nder komunale në tërë territorin e Kosovës.

Sportistët e verbër zhvillojnë dy disiplina sportive goalball dhe shah. Në goalball organizohet liga që nga viti 2006 dhe reprezentacioni i goalballit të Kosovës e ka përfaqësuar Kosovën edhe në gara ndërkombëtare në Suedi, Belgjikë e Slloveni.

Në disiplinën e shahut, të verbrit e Kosovës në vitin 2017 kanë marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Shahut për të Verbër dhe kanë treguar sukses të kënaqshëm.

Federata e Sportit për të Verbër është anëtare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës prej vitit 2011, prej themelimit të këtij Komiteti.

Ndërkaq, kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini, tha se “Në Kosovë ka persona me aftësi të kufizuara, por që nuk i pengon aspak ata të jenë pjesë e garave ndërkombëtare dhe kjo na lehtëson edhe më shumë punën neve si Komitet Paraolimpik me mbështetjen që kemi nga Ministrja Dumoshi. Jemi të lumtur që e kemi menduar dhe realizuar aktivitetin ku të verbrit kanë marrë pjesë në Javën Evropiane të Sportit”.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, tha se “shahu ka avancuar shumë dhe ne jemi pjesëmarrës si në Olimpiadën Botërore të Shahut po ashtu edhe në dy kampionate individuale botërore për të verbër në kategorinë e shahut dhe me përkrahje nga Ministria dhe Federata e Shahut kemi treguar rezultate të mira”.
-- 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)