19 Janar 2022

Kurti premton përfundimin e infrastrukturës së re sportive në Zhegër

Gjilan, 24 dhjetor - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, kanë inspektuar sot vazhdimin e punimeve në palestrën e sporteve në Zhegër, një projekt ky që po realizohet në bashkëfinancim me qeverinë. 

Kryeministri Kurti, pasi është njoftuar me ecurinë e punimeve, ka thënë se sot jemi këtu së bashku me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe ministrin Hajrullah Çeku, që t`i përgëzojmë punëtorët dhe kompaninë për këtë fillim apo ri-fillim të punës në këtë infrastrukturë shumë të rëndësishme sportive për Zhegrën e për Gjilanin.

Ai ka premtuar se ky projekt i nisur kaherë dhe i lëmë në gjysmë, tani që po rifillon, do të kryhet me sukses, për çka ka njoftuar se janë ndarë edhe fondet e nevojshme dhe pardje është nënshkruar edhe kontrata. 

‘Do të ndajmë fonde që një punë e nisur moti dhe e lënë përgjysmë, ku operatori ekonomik është tërhequr, rast ky i rrallë dhe mbase edhe i vetëm, ta përmbyllim suksesshëm, sepse jo vetëm historisë dhe ekonomisë sonë, por edhe kulturës sonë, Zhegra i ka dhënë shumë”, ka nënvizuar kryeministri Kurti.

Prandaj, ka vijuar ai, ne e kemi për obligim të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpijmë edhe sportin përpara, po gjithashtu edhe aktivitetin shoqëror të këtij vendi, në përgjithësi. 

Duke e nënvizuar rëndësinë e sportit, si kulturë të popullsisë dhe si shëndet, kreu i Qeverisë ka thënë se kjo ka nevojë edhe për infrastrukturë të re.   

‘Meqenëse sporti nuk është vetëm për sportistët, por është për të gjithë sportdashësit e ne e dimë, sidomos nga koha jonë, se sporti është edhe shëndet, andaj kemi interes që sportin ta bëjmë edhe kulturë të popullsisë dhe kjo infrastrukturë e re, për të cilën ne nuk do të vonojmë e kursejmë, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim’, ka thënë Kurti. 

Përndryshe, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se vlera e këtij projekti është 1.2 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda vitit 2022, për t`iu dhënë mundësi sportistëve dhe sportdashësve të këtij lokaliteti të madh të Grykës së Karadakut që aktivitetet sportive t`i zhvillojë e t`i ndjekë në një objekt bashkëkohor.  

Palestra ka kapacitet prej 800 ulëseve dhe i plotëson nevojat e këtij lokaliteti, i cili ka edhe një klub hendbolli që garon në Superligën e Kosovës.  

     










 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)