25 Prill 2024

Vetingu ofron përgjigje në kërkesën e pashtershme të qytetarit për drejtësi

Prishtinë, 3 nëntor - Pas miratimit të Koncept Dokumentit për vetingun, sot u mbajt takimi i parë i Grupit Punues, të ngarkuar me hartimin e amendamenteve kushtetuese, si një hap tutje drejt realizimit të reformës së domosdoshme në dobi të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

“Diskutimet lidhur me nevojën për reformë në drejtësi, janë prapa nesh. Tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin apo jo. Kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi. Sepse, na duhen gjyqtarë të drejtë e efikas dhe prokurorë me integritet dhe energjikë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit.

Ai theksoi domosdoshmërinë e përqendrimit në hapa të atillë, që do kenë për qëllim sigurimin e prokurorisë efikase, gjyqësorit të drejtë dhe së fundmi, fuqizimit të llogaridhënies së sistemit gjyqësor.

Në mungesë të sistemit të tillë, që karakterizohet me efikasitet, transparencë, llogaridhënie dhe besim, nuk mund të flitet për drejtësi, e në mungesë të drejtësisë, shoqëria jonë rrezikohet me sakrifikim, jo vetëm të sundimit të ligjit, por edhe vlerave themelore të një shoqërie demokratike, tha kryeministri.

Më tej, ai tha se përgjigja ndaj defekteve e dështimeve të tilla për drejtësinë, është vetingu. Vetingu do sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të performancës dhe profesionalizmit të tyre, si dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryeministri potencoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe kushtetues me sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, pasi që përgjigja pozitive ndaj reformës, sidomos nga ky sistem, do tregonte maturi dhe vullnet për reformat, të cilat drejtësisë do t’i sjellin rezultate, pavarësi, profesionalizëm dhe besim.

Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vetingut, do të përgjigjet në kërkesën e pashtershme të qytetarit për drejtësi dhe nevojën esenciale për ushtrimin e të drejtave të garantuara. Gjithashtu, do të krijojë hapësirën e domosdoshme, që Qeveria dhe institucionet shtetërore të vihen në shërbim të popullit e të mos krijojnë sundim mbi të, tha kryeministri duke theksuar vendosmërinë për të kompletuar këtë reformë deri në fund.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se mekanizimi i vetingut do të garantojë një sistem drejtësie sa më afër me qytetarin dhe sa më të përgjegjshëm, që secili qytetar pa dallim, të marrë drejtësinë e duhur në kohën e duhur.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)