17 Janar 2022

Shpallet Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit

Prishtinë, 12 janar – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 208-të me radhë, në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë marrë vendim në fillim të këtij takimi për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Ky vendim është marrë duke u bazuar në Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit. Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022.

KPK-ja ka themeluar edhe Panelin vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Anëtarë të këtij paneli, përveç Kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, që, sipas detyrës zyrtare, është anëtar dhe kryesues i panelit, përmes shortit u përzgjodhën edhe anëtarët e KPK-së, Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Ndërsa, anëtarë të Komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, pas tërheqjes së shortit, u përzgjodhën anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka.

Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit do të shpallet më 17 janar 2022 dhe do të jetë i hapur 15 ditë nga dita e shpalljes.

Gjithashtu, Këshilli ka themeluar katër panele hetimore për trajtimin e rasteve disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Në fund të takimit janë mbajtur dy seanca dëgjimore disiplinore për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore të Ferizajt dhe një prokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kurse vendimet përkatëse do të bëhen publike siç parashihet me ligj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2022

-  Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën më temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  do të shënojë Janarin e Përflakur më çrast do të mbahet tribunë e hapur në të cilën do të ketë dy ligjërata "Flakadanët e lirisë" dhe Jusuf Gërvalla - Atdhetari dhe krijuesi. (Amfiteatrin i Universiteti të Gjilanit, ora 11:00)  

- Partia Socialdemokrate do të mbaj konferencë për media lidhur me projektligjin për inspektime të propozuar nga Qeveria e Kosovës. (Zyra e PSD-së, në rrugën Bajram Kelmendi, ora 13:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' mbahet akademie e Flakës 2022. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 17:00)

 

- Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shkëlqesia e Tij, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, organizon Akademinë Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ora 17:00)

- Hapet ekspozita kolektive e artit pamor. (Galeria e qytetit të Gjilanit, ora 19:00)