01 Dhjetor 2021

RrGK fillon fushatën kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës

Prishtinë, 18 tetor - Sot Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në partneritet me Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGj) dhe me Avokatin e Popullit, fillojnë fushatën online kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës. 

Kjo fushatë po bëhet me qëllim të informimit të qytetarëve rreth formave të ngacmimit seksual në vendin e punës, ligjeve që dënojnë atë, si dhe  shembujve të ngacmimit seksual në vendin e punës, të nxjerrë nga hulumtimi i RrGK-së “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”. 

Nga të gjeturat e këtij hulumtimi,  shumica e të anketuarve nuk kishin njohuri nëse ngacmimi seksual në hapësira të punës dënohet me ligj dhe cilat janë format e ngacmimit seksual. 

Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënon me burgim deri në tri (3) vite çdo person i cili ngacmon seksualisht personin tjetër apo përdor cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues. 

Përveç Kosovës, fushata e njejtë do të zhvillohet edhe në pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat janë partnere të RrGK-së në këtë nismë: Shqipëri, Mali të Zi, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe Serbi si dhe pritet të zgjasë 11 ditë (18-30 tetor). 

RrGK inkurajon të gjithë personat e ngacmuar seksualisht në vendet e tyre të punës që të raportojnë ngacmimin seksual në Inspektoriatin e Punës (0800 7 75 77) dhe në Policinë e Kosovës (0800 1999). 

Strategjia e RrGK-së për Fuqizimin Ekonomik të Grave e hartuar për vitet 2019-2022, bën thirrje për përmirësimin e kushteve për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore. Gjithashtu, RrGK beson në krijimin e mjediseve të dinjitetshme të punës dhe mjediseve pranuese për të gjitha grupet e shoqërisë. 

Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Luftimi i diskriminimit, përmirësimi i të drejtave të grave në punë”, si dhe mbështetet nga Komisioni Evropian dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)