18 Tetor 2021

Realizohet operacion policor në nivel vendi, në luftë kundër kontrabandës

Prishtinë, 13 tetor - Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri.

Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.

Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Tetor 2021

 - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon Ilucidare Playground: “Guralec: Moving Rocks” dhe Konferencën “Përtej mureve dhe bindjeve”. Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë