16 Maj 2022

Prokuroria Speciale bën mbledhjen e provave për masakrën e Mejës

Prishtinë, 11 maj - Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, njëherësh udhëheqëse e Departamentit të Krimeve të Luftës, së bashku me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes në lidhje me masakrën e Mejës ne komunën e Gjakovës.

Gjatë ditës, ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, kanë shikuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet, si dhe kanë siguruar provat e nevojshme lidhur me këtë krim.

Prokurorja, Drita Hajdari, gjatë vizitës në Mejë, saktësoi se sipas informatave aktuale, në këtë masakër “janë vrarë treqindeshtatëdhjetegjashtë (376) persona. Shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur”.

Gjithashtu, prokurorja Hajdari potencoi faktin se “gjatë operacioneve ushtarake dhe policore të ushtrisë jugosllave, përveç vrasjeve të shumta janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, si djegia e shtëpive dhe plaçkitja e popullsisë civile si dhe dëme tjera materiale”.

Prokurorja speciale edhe kësaj radhe sqaroi se misioni EULEX ishte përgjegjës për procedimin e krimeve të luftës.

“EULEX ka filluar hetime për këto krime dhe në një moment janë pezulluar ato. Edhe pse rastet e krimeve të luftës ishin në kompetencë të PSRK-së, një kohë të gjatë ligji nuk lejonte të rihapeshin hetimet."

"Mirëpo, me ndryshimin e fundit të Ligjit për gjykim në mungesë, na është mundësuar rihapja e hetimeve dhe tani jemi këtu në vendin e krimit, me policinë dhe forenzikën, për të lokalizuar vendet ku janë kryer krimet dhe për t’i siguruar provat e nevojshme”, theksoi ajo duke shtuar se deri më tani janë dëgjuar njëqindenjëzetegjashtë (126) dëshmitarë, ndërsa pritet të dëgjohet edhe një numër i madh dëshmitarësh të tjerë.

Prokuroria Speciale deri më tani ka arritur të identifikojë një numër të madh të kryerësve të këtij krimi si dhe të atyre që dhanë urdhrin dhe organizuan këtë krim.

Masakra e Mejës është një prej masakrave më të rënda që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, dhe si e tillë paraqet një rast shumë kompleks, i cili kërkon shumë punë dhe përkushtim për të dokumentuar krimin dhe për t’i sjellë kryesit para drejtësisë.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 maj 2022

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung, hapin nesër në Pejë edicionin e 8-të të Shkollës Diplomatike Verore. (Hotel Dukagjini në Pejë, ora 9:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, viziton familjen e veprimtarit Ukshin Hoti. (Krushë e Vogël, ora 9:50)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00‪)

- Konstituohet  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- ECIKS organizon ngjarjen përmbyllëse të programit Access - “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, program ky i cili përgjatë katër viteve pati për qëllim të lehtësojë zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, Goethe Zentrum hap dyert për të gjithë të interesuarit për tu njoftuar me ofertart e tyre. (Goethe Zentrum në Prishtinë, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me ekspertin e angazhuar nga UN Women lidhur me përfundimin e draftligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- OJQ Aktiv ka kënaqësinë t'ju ftojë në promovimin e ueb faqes “Miqësia Serbo-Shqiptare”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicë, Mbreti Petri I, 183a, ora 11:00)

- Me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së profesorit, politologut dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare Mr. Ukshin Hoti, do të bëhet një vizitë në Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit. (Fshati Krushë e Madhe, ora 11:00)

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes zyrtare e edicionit te dytë të panairit Max fest. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrtion raportin me rekomandime për Projektligjin për turizmin dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Brestoc, Hoçë e Vogël. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Brestoc dhe Hoçë e Vogël, ora 17:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, shfaqet filmi "Sami, Joe und ich" nga Karin Heberlein si dhe mbahet diskutim me temë "Diaspora në Kinema: Promovimi i imazhit të Kosovës në vende gjermano folese. (Kinema Armata, ora 18:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Nagac dhe Celinë. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Nagac dhe Celinë, ora 18:00)

- Shfaqet premiera e dokumentarit “Babai dhe Babai”. (Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, ora 20:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatit Krushë e Madhe. (Shtëpia e Kulturës “Muhamet Malsori”, ora 20:00)