20 Prill 2024

Pas më shumë se 22 viteve, mbi 1600 persona ende janë të zhdukur në Kosovë

Prishtinë, 30 gusht - Më shumë se 22 vjet pas lufte në Kosovë, familjet e mbi 1600 personave të zhdukur janë ende në kërkim të të dashurve të tyre.

Pas çdo personi të zhdukur qëndrojnë familje që vuajnë nga ankthi dhe mosdija për fatin e të dashurve të tyre dhe që përballen me pasojat e shumta të kësaj në jetën e tyre. Për çdo person të zhdukur, ka njerëz të panumërt të cilëve ata u mungojnë.

Për t’i nderuar familjet e personave të zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) këtë vit ka bashkëpunuar me komunitetin artistik të Kosovës për ta prodhuar një dokumentar ku rrëfehen historitë dhe përshkruhet jeta aktuale e tri familjeve me përkatësi të ndryshme etnike, anëtarët e të cilave janë zhdukur.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë, z. Agim Gashi, tha: “KNKK i çmon përpjekjet e bëra nga autoritetet në gërmimin e disa varrezave të supozuara në kërkim të eshtrave të njerëzve të zhdukur dhe i inkurajon ato që ta përshpejtojnë procesin aty ku është e mundur.

 Bashkëpunimi me të gjithë akterët e përfshirë është kyç për arritjen e rezultateve. Si në të kaluarën, ashtu edhe këtë vit, i bëjmë thirrje shoqërisë në përgjithësi dhe autoriteteve që të mendojnë sërish se çfarë mund të bëjnë më shumë për t’u ndihmuar familjeve të personave të zhdukur”.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, ndërsa autoritetet e kanë për detyrë që t'u ofrojnë përgjigje dhe mbështetje.

Si përherë, KNKK është e gatshme t’i mbështesë autoritetet në përmbushjen e obligimeve të tyre ligjore në këtë drejtim dhe kërkon nga to që çështjen ekskluzivisht humanitare të personave të zhdukur ta vënë në plan të parë.

Megjithatë, është mbështetja dhe bashkëndjesia e shoqërisë ajo që është tejet e rëndësishme për t’u ndihmuar familjarëve të personave të zhdukur që ta përballojnë dhimbjen.

Prandaj, është momenti i fundit që kushdo që mund të ketë informata që mund të çojnë në zgjidhjen e cilitdo rast të ndonjë personi të zhdukur që t’i ofrojë ato. Koha nuk e shëron agoninë e familjeve të të zhdukurve, por vetëm përgjigjet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)