20 Tetor 2021

Paraburgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe kontrabandë me mallra

Gjilan, 13 tetor – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve M. A. dhe N. K. 

Ekziston dyshimi i bazuar se më 05 Tetor 2021, i pandehuri M.A., në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli, në Komunën e Kamenicës, me dashje ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka damkosur rreth 12 kubik drunjë, të llojit pishë, edhe përkundër faktit që kjo sasi e drunjëve ishte kontrabanduar nga Republika e Serbisë, me ç’rast ka legalizuar këtë sasi të drunjëve duke i mundësuar të pandehurit tjetër N.K., që të përfitojë duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, i pandehuri M. A. dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar’, ndërsa i pandehuri N. K. veprën penale “kontrabandim i mallrave”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)