18 Qershor 2021

Paraburgim ndaj E.M. i dyshuar për aksidentin me fatalitet

Ferizaj, 8 qershor – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 6 qershor 2021, në rrugën magjistrale Ferizaj - Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor, duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor, dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë e cila ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, ku në këtë aksident pësojnë lëndime me pasoja vdekje drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur,  lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman të mëtejmë, si dhe drejtuesi i automjetit Audi A8 dhe dy pasagjeret e tij, L.H dge Y.H.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, dhe ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit as dëshmitarët tjerë të mundshëm, dhe e dëmtuara e cila është në gjendje të rëndë dhe gjendet për tretman mjekësor në QKUK, andaj mbi këto arsye gjykata vlerëson se po të gjendet në liri mund të ndikoj tek të njëjtit në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, andaj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë veçanërisht në të dëmtuarën e mitur.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Qershor 2021 - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli do të vizitojnë banesat kolektive ku janë përfunduar punimet për renovimin e kulmeve, si dhe ku kanë filluar punimet për lyerjen e korridoreve. (Përballë Qendrës Sportive, ora 10:00)

- Anulohet -  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mban tryeza e radhës bashkëbisedim me Ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli. (Zyrat e Odës Amerikane në Pejton, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, shefi i misionit të UNHCR, Erol Arduc, Drejtuesi i sektorit të bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, dhe Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, znj. Ulrika Richardsondo të zbulojn pllaken e përurimit të një pjese të sapo renovuar të Qendrës së Azilit, në Vranidoll të komunës së Prishtinës. (Qendra e Mbajtjes në Fshatin Vranidoll, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me nënkryetaren Memnuna Ajdini do të vizitojnë rajonin e Zhupës, ku do të shohin nga afër projektet e realizuara në këtë rajon. (Rajoni i Zhupës, ora 10:30)

- Kolegji Universum organizon një ligjeratë publike me Alain Le Roy - diplomat francez i cili ka qenë Zv. Sekretar i përgjithshëm i OKB-së, udhëheqës i gjitha operacioneve globale paqeruajtëse të OKB-së në botë, Ambasador i Francës dhe shumë poste tjera të rëndësishme. (Hapësirat e kolegjit Universum në kampusin e Lipjanit, ora 11:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton formimin e grupeve punuese për mbikëqyrjen e ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00)

- Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina mban në konferencë për shtyp rreth më të rejave të klubit. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 14:00)

- Prointegra organizon takim publik ''Kosova në lëvizje - Kontributi i diasporës''. (Online nëpërmjet ZOOM, ora 14:00)