24 Tetor 2021

Ministrja Haxhiu kërkoi shtimin e efikasitetit dhe llogaridhënës së sistemit gjyqësor

Prishtinë, 21 shtator - Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, takuan Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Alber Zogaj, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, me ç’rast diskutuan për sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial dhe mundësin e adresimit të tyre.

Me këtë rast, ministrja Haxhiu theksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për adresimin e sfidave të sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë kërkesat buxhetore, duke qenë se aktualisht Qeveria përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, është në fazën finale të përgatitjes së projektbuxhetit për vitin 2022.

“Kërkesat e Këshillave do ta kenë mbështetjen time dhe të Qeverisë Kurti, sikurse kërkesat e qytetarëve për shtimin e efikasitetit dhe të llogaridhënës së sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial” tha ministrja Haxhiu.

Ministrja theksoi se në legjislaturën e kaluar është miratuar pakoja e ligjeve të sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, mirëpo për shkak të mjeteve buxhetore të pamjaftueshme, këto ligje ende nuk po gjejnë zbatim.

 Njëherit, shprehu zotim për angazhim të pakursyer në ndarjen e mjeteve buxhetore për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional për gjyqtarë dhe prokurorë, ngasë kështu do të mundësohet zbatim i ligjit si dhe do të ketë rritje të efikasitetit.

Po ashtu, nuk do të mungojë gatishmëria për angazhim në ndarjen e mjeteve për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, si dhe rritjen e numrit të prokurorëve dhe të stafit mbështetës në Prokurorinë Speciale në përgjithësi, si dhe Departamentit për Krime të Luftës në veçanti.

Të dy kryesuesit e këshillave e falënderuan Ministren Haxhiu për bashkëpunimin, duke shprehur mirënjohje për gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë por edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për realizimin e kërkesave buxhetore përtej kufijve buxhetor të përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)