19 Janar 2022

Kryeministri Kurti vlerësoi punën e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje

Prishtinë, 6 dhjetor - Ofrimi i shërbimeve të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës në familje dhe roli i strehimoreve në mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre, ishin tema e takimit të sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, me udhëheqëset e strehimoreve.

Kryeministri Kurti vlerësoi punën e strehimoreve si partnere në luftimin e dhunës në familje, të përfshira drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e grave viktima të dhunës dhe fëmijëve të tyre.

U bisedua për nismat e ndërmarra nga Qeveria për infrastrukturë të re ligjore, hartimin e Ligjit të ri për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe Strategjinë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.

Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Drejtësisë, znj. Nita Shala, njëherit Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, znj. Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga udhëheqëset e strehimoreve për angazhimin dhe sfidat në fushën e përgjegjësisë së tyre, në fazat e reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, për mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të viktimave të dhunës në familje.

U diskutuan hapat e mëtejmë që do të forcojnë edhe më tej zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në kornizën tonë ligjore, dhe zbatimin e kërkesave që burojnë nga kjo konventë, e që do të udhëzojnë më tej punën e institucioneve përgjegjëse.

Në këtë takim morën pjesë udhëheqëset e strehimoreve:  znj. Zana Hamiti nga Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë, znj. Erblina Dinarama nga OJQ “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, znj. Nazife Jonuzi nga Qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve “Liria” në Gjilan, znj. Vesna Stajiq nga strehimorja “Zenski inkluzivni centar” në Novobërdë, znj. Sevdije Kasumi – Bunjaku nga QMGF “Shtëpia ime” në Ferizaj, znj. Ardita Bala nga Qendra për mirëqenien e gruas në Pejë, dhe znj. Fidane Hyseni nga QMGF “Raba Voca” në Mitrovicë.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)