20 Maj 2022

Kryeministri Kurti vizitoi kontingjentin e ushtarëve të FSK-së në Iowa

Iowa, 13 maj - Gjatë qëndrimit të tij në shtetin e Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po zhvillojnë trajnime atje së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Aty u takua me ushtarët Lulëzim Statovci, Fidan Nishevci, Arianitë Prushi dhe Malsor Haxhiu.

Duke theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka qenë dhe vazhdon të jetë kyçe në ngritjen profesionale të FSK-së dhe në përgatitjen profesionale drejt arritjes së standardeve të NATO-s, kryeministri Kurti vlerësoi edhe bashkëpunimin e vitit të kaluar, kur së bashku me trupat amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s, FSK realizoi misionin e parë dhe historik të zbarkimit në shtetin e Kuvajtit.

Kryeministri Kurti u shprehu mirënjohje ushtarëve tonë për krenarinë që na e sjellin me përkushtimin e tyre për t’i shërbyer vendit.

Ai tha se angazhimi i përditshëm në trajnime për të avancuar aftësitë dhe shkathtësisë e tyre dhe forcës sonë është jetik në përkushtimin e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe siguri në rajon.

Nëpërmjet rritjes së buxhetit për mbrojtje për 52%, ai tha se Qeveria po dëshmon synimin e saj që duke ngritur kapacitetet profesionale të FSK-së të kemi një forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese për të mbrojtur vendin, por edhe të bashkëpunojë me partnerë e aleatë në ruajtje të paqes në rajon e botë.

Në këtë vizitë ai po ashtu falënderoi pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s për mbështetjen e tyre për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për partneritetin e ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 maj 2022

- Për herë të parë në Kosovë organizohet Dita Internacionale të Burimeve Njerëzore. (Amfiteatri i Fakultetit Ekonomik,  ora 9:30)

 - Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton rreth performances së përgjithshme të Kosovës në fushën e energjisë elektrike ne raport me kërkesat e Komunitetit të Energjisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj marrin pjesë në ceremonisë së betimit  të ushtarëve të rijnë  FSK-së. (Kazerma e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadoren e Greqisë, Heleni Vakali. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Komisionin e Venecias për Vetting. (Kabineti i kryetarit, ora 11:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimeve)

- Në shënim të përvjetorit të masakrës së Dubravës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me studente nga Universiteti i Prishtinës, zhvillon një vizitë në Dubravë. (Dubravë, ora 11:30)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës organizon protestë. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 13:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane organizohet piknik me poezi. (Pakru i qytetit të Prishtinës, ora 15:00)

- Në vazhdën e aktivitete për promovimin e lëvizjes së lirë nëpër Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me “Qendra Marrëdhënie” në Tiranë, organizojnë aktivitetin “Festë n ‘ Rrugë” për të përjetuar së bashku lirimin e rrugëve afër shkollave për të mirën e fëmijëve tanë dhe gjithë komunitetit përreth. (Rruga “Zejnel Salihu”, përball Shkollës Fillore “Elena Gjika”, ora 17:00)

- Mbahet koncerti përmbylles i Ditëve të Gjuhës Gjermane. (Amfiteatri i Biblotekës Universitare, ora 19:00)