27 Janar 2023

KPK diskuton për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës

Prishtinë, 8 nëntor - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, në të cilin kanë marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, ai i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky takim ka filluar me diskutimet lidhur me situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas ofrimit të dorëheqjes nga prokurorët dhe stafi administrativ i komunitetit serb. Me këtë rast, anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si njësi kompetente në kuadër të sistemit prokurorial të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin në Këshill propozimet konkrete për mirëfunksionimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial nuk u lëshua në shqyrtimin e dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi administrativ, ngase paraprakisht nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar nga organet kompetente lidhur me përgjegjësit eventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje.

Në fund të diskutimit për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, anëtarët e Këshillit, thanë se mbetën të përkushtuar për koordinimin e veprimeve me institucionet e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa ndërprerje në këtë prokurori, por edhe të funksionimit të një ambienti të sigurt juridik në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Nga organet kompetente të Kosovës u kërkua të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore.

Gjatë këtij takimi, po ashtu, Këshilli ka konfirmuar listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe ka themeluar Komisionin për Rishqyrtim për pozitën e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtor të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.​

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)