17 Tetor 2021

Kosova mirëpret grupin e parë të afganëve të evakuuar

Prishtinë, 30 gusht - Grupi i parë prej 111 qytetarëve afganë, të cilët kanë qenë të kontraktuar nga NATO-ja dhe familjarë të tyre, arriti mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Mirëseardhje atyre u uruan Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Kryeministri Kurti tha se është nder për neve që kemi mundësinë t’u ndihmojmë qytetarëve afganë, të cilët u detyruan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre të dëshpëruar.

Para medieve, ai u shpreh se, kur kemi të bëjmë me një çështje humanitare, kur janë në pyetje partnerët dhe aleatët tanë, atëherë nuk bëhet pyetja “pse”, por vetëm “si”, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e këtij operacioni.

''Refugjatëve afganë, të cilët sigurisht që janë të dëshpëruar që janë detyruar që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, ta lëshojnë atdheun e tyre, ju dëshiruam mirëseardhje, ju thamë që janë mysafirët tanë dhe se këtu janë të sigurt.''

''Është nder për neve, është nder për mua, që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë, sikurse të gjithë popujt dhe qytetarët e tjerë në botë, e meritojnë të kenë të drejta dhe liri.''

''Kur kemi të bëjmë me një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si'', ka thënë Kurti.

Para më shumë se 22 viteve NATO-ja bëri ndërhyrje humanitare në Kosovë për ta ndërprerë gjenocidin e Serbisë dhe tash ne krah për krah me NATO-n Kosova ndihmon refugjatë të tjerë të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë.



 

 
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Tetor 2021

 - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon Ilucidare Playground: “Guralec: Moving Rocks” dhe Konferencën “Përtej mureve dhe bindjeve”. Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë