03 Dhjetor 2022

I.G ndalohet për vrasjen e bashkëshortes

Prishtinë, 25 nëntor - Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së.

"Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë", njofton Prokuroria.

Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë.

Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 dhjetor 2022

- Komuna e Prishtinës do të bëjë testimin e radhës të Sistemit të Alarmit Publik me tinguj të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda. (Prishitnë, ora 12:05)

- Ndihmës administratorja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për Europë dhe Euroazi, Ambasadorja Erin E. McKee, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me akterë të ndryshëm duke përfshirë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, bartës të rinj të ndryshimeve etj. (Lokalet e Royal Beverages, Velekincë, Komuna e Gjilanit, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, do të mbajë tubim me vajza e gra. (Teatrin e Qytetit "Avdush Hasani", ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi do të vizitojë Qendrën e Handikos-it në Podujevë. (Objekti i Qendrës në Podujevë, ora 15:30)

- Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit do të shfaqen filma vendor dhe të huaj, ku do të ketë diskutime me me autorët pjesmarrës! (Kino Armata, ora 17:00)
 
- Mbahet ceremonia e mbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit më ç'rast do të behët edhe ndarja e çmimeve. (Kino Armata, ora 19:00 )