05 Korrik 2022

Arrestohet i dyshuari A.K, kërkohej nga autoritetet e Shqipërisë dhe Italisë

Prishtinë, 20 maj - Në orët e mbrëmjes së datës 19.05.2022 në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitet për hetimin e trafikimit me narkotik, pas hetimeve intensive ka realizuar operacionin policor “Rrufeja” i cili ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar A.K. shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili gjithashtu posedonte dokumentacion të Republikës së Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për posedim të (16.780 kg) substancë narkotike të llojit marihuanë.

Bazuar në urdhëresën e organeve të drejtësisë operacioni policor ka vazhduar me kontrollimin e lokacionit ku i njëjti banonte, me ç‘rast janë konfiskuar një valigje me (31) paketime substancë narkotike, një qese e najlonit me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, ku pesha totale kishte arritur rreth 16.780 kg, si dhe janë konfiskuar para kesh (100 euro), (2) telefona celularë, (2) pasaporta të Shqipërisë, (1) letërnjoftim i Kosovës, (2) patentë shoferë, njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Italisë.     

Policia e Kosovës ka siguruar informacione se personi i dyshuar tani më i arrestuar, dyshohet se është i kërkuar edhe nga autoritetet e  Shqipërisë dhe Italisë.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e  paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)