03 Tetor 2022

Aktakuzë kundër dy personave për keqpërdorim të kartelave të bankës

Prishtinë, 9 gusht – Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.S. dhe E.B., në drejtim të veprës penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.S., në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në subjektin afarist “NEPTUN”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve duke iu vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat i kishin përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, ku më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro, çka të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm material në shumën prej 6,124.1€.

Me këtë i pandehuri në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe me nenin 77 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit A.S. dhe E.B., në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë keqpërdorur kartelën e bankës së një të dëmtuare, në atë mënyrë që i pandehuri A.B., në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në lokalin e lartcekur ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, respektivisht të dëmtuarës, duke ia vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelës bankare të cilën e kishte përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, përmes e-mail adresave dhe llogari të tjera, të cilat ia kishte siguruar i pandehuri E.B., në këmbim të një shume të hollash/përqindje, ku pastaj i pandehuri A.S., kriptovalutat e krijuara në këto llogari më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro çka të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 1.236.07€.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.     

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)