27 Janar 2023

23 karabinierë italianë zbarkojnë në Kosovë për të përforcuar EULEX-in

Prishtinë, 9 nëntor - EULEX ka bërë të ditur se një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

NJPSR u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme.

NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti.

NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë.

NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme.

Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe zbarkimi i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj.

Kjo është hera e dytë që një NJPSR zbarkohet në Kosovë: në mars 2022, EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca. Xhandarët u larguan nga Kosova më 18 korrik .

Forca e Xhandarmërisë Evropiane është një forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e organizuar paraprakisht, e fuqishme dhe e dislokueshme me shpejtësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)