22 Shtator 2021

Varianti Delta, mes sëmundjeve më ngjitëse që shkenca njeh

Washington, 23 korrik - Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po vazhdojnë paralajmërimet për rrezikshmërinë e variantit Delta të koronavirusit, për të cilin thonë se është ndër viruset më ngjitëse që njeh shkenca.

Ata gjithashtu u bëjnë thirrje të gjithë të pavaksinuarve që të imunizohen për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha se varianti Delta i koronavirusit është një nga viruset më ngjitëse që ajo ka hasur në karrierën e saj 20 vjeçare.

Këto komente ajo i bëri gjatë një konference virtuale shtypi ku tha se infektimet me variantin Delta të COVID-19 po vazhdojnë të përhapen gjithandej në Shtetet e Bashkuara.

"Varianti Delta po përhapet me shpejtësi të madhe dhe tani përbën mbi 83 për qind të infektimeve në Shtetet e Bashkuara. Krahasuar me virusin që qarkullonte në ShBA në fillim të pandemisë, varianti Delta është shumë më i ashpër dhe më ngjitës”, tha ajo.

Zonja Walensky u bëri thirrje njerëzve të vaksinohen për të mbrojtur veten nga varianti dhe të frenojnë përhapjen e mëtejme të koronavirusit.

"Udhëzimi ynë është i qartë që kur e publikuam para disa muajsh. Nëse nuk jeni vaksinuar vazhdoni mbajtjen e maskës për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth jush. Dhe më e rëndësishmja, duhet të vaksinoheni për të mbrojtur më mirë veten”, tha ajo.

Në këtë takim nuk u bë e ditur nëse Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po shqyrton mundësinë e ndryshimit të udhëzimit për maskat. Në maj ata thanë se personat e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të përdorin maskat kur ndodhen në hapësira publike.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Universiteti Johns Hopkins, nga fillimi i pandemisë Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 34 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 610 mijë vdekje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Shtator 2021

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Komunën e Prishtinës, Policinë e Kosovës, OJQ-të shënojnë “Ditën Ndërkombëtare pa Makina”. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton formon grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, shqyrton raportet e Komisioneve të përhershme  për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj,. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 203-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Përmes formës online, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportin vjetor Financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronëssi dhe Raportin vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë bën rishikimin e Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim i Politikave dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut organizojnë një konferencë me temë 'Sfidat e Kosovës që vijnë Rusia dhe Kina' me Holden Triplett Agjenti Special i FBI -së dhe Drejtor për Kundërzbulimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ret. (https://zoom.us/j/98242813908?pwd=cFBiZGdMV3pRTTV3RDJBbTE5UEtVQT09, ora 16:00)