13 Qershor 2021

Sot nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit

Prishtinë, 12 maj - Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga sot do të nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.

Në komunikatën për media thuhet se prioritet në imunizim do të kenë personat që janë regjistruar për vaksinim në platformën online e-kosova.

Sipas planit shtetëror, vaksinimi në Kosovë është ndarë në tri faza.

Personat 65-79 vjeç bëjnë pjesë në fazën e dytë, ashtu si edhe mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë.

Në fazën e parë, që ka nisur në fund të marsit, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.

Në fazën e tretë, ndërkaq, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.

Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca - 24,000 sosh - në fund të marsit, përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë dhe javën e kaluar, vendi ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.

BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë se sot po ashtu do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Qershor 2021 - Klubi Off Road Prizreni organizon ngjitje në Maje tek Liqenet. (Përball Qendrës Sportive ”Sezair Surroi” në Prizren, ora 10:00)
 
 - Me rastin e shënimit të 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të komunës së Rahovecit mbahet finalja në futboll të vogël. (Palestra Sportive“Mizahir Isma”, ora 18:00)