20 Prill 2024

SHBA i dhuron Kosovës gjysmë milioni doza të vaksinave Pfizer

Prishtinë, 11 shkurt - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë përafërsisht 10 milionë dollarë në emër të ndihmës tjetër të ndërlidhur me pandeminë për të forcuar reagimin e Kosovës ndaj pandemisë.

Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës edhe 515.970 doza të vaksinës Pfizer, vaksinë kjo që shpëton jetë, është e sigurt dhe shumë efektive.  Duke përfshirë dy dërgesat e mëparshme në gusht dhe shtator 2021, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhuruar mbi 1.054.170 doza për të mbrojtur kosovarët, që paraqet donacionin më të madh të vaksinave kundër Covid-19 nga ndonjë shtet apo organizatë dhuruar Kosovës.

„Vaksinat mbesin mënyra më e mirë në botë e mbrojtjes kundër Covid-19 dhe pasojave shkatërruese të tij.  Shkalla e lartë e vaksinimit do të thotë shkallë e ultë e hospitalizimit dhe më pak raste të vdekjes.  Ju lutem, bëjeni pjesën tuaj: vaksinohuni, lani duart dhe bartni maskën. Të gjithë duhet të punojmë së bashku për ta luftuar dhe mposhtur këtë pandemi globale”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Meqenëse asnjë vend nuk mund ta mposhtë Covid-19 i vetëm, presidenti Biden është zotuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndajnë më shumë se 1.2 miliardë doza të vaksinës nëpër botë. „Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë arsenali i vaksinave të botës në luftën tonë të përbashkët kundër këtij virusi”, tha presidenti Biden në një deklaratë më 3 qershor 2021. „Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për të ndërtuar një botë më të sigurt kundër kërcënimeve të sëmundjeve ngjitëse”, tha ai.

Përveç vaksinave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin donatori më i madh bilateral për sistemin shëndetësor të Kosovës për forcimin e reagimit ndaj Covid-it.  Prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 10 milionë dollarë në emër të mbështetjes shtesë të ndërlidhur me pandeminë për ngadalësimin e përhapjes, kujdesin për të prekurit dhe pajisjen e shkollave kosovare, shtëpive të shëndetit, familjeve dhe komuniteteve në 38 komunat e Kosovës me mjetet e nevojshme për ta luftuar Covid-19.

Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim COVAX (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19.  Me donacionin prej 4 miliardë dollarë në Covax, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh në botë për qasje me mundësi të barabartë globale në vaksinat kundër Covid-19.  Covax-i bashkë-udhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), si dhe UNICEF-i si partner kryesor për shpërndarjen e dërgesave. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)