19 Prill 2024

Qeveria përforcon mbikëqyrjen e zbatimit të masave për parandalimin e COVID 19

Prishtinë, 29 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, ku kanë njoftuar për masat shtesë që ka ndërmarrë Qeveria për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të reja kufizuese të vendosura një ditë më parë.

Konferencës i ka paraprirë mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës, që është thirrur për shkak të përkeqësimit të gjendjes me pandeminë, me vdekjen e 36 qytetarëve në 24 orët e fundit.

Kryeministri ka folur për rrezikun e madh të shpërndarjes që ka varianti Delta dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar edhe nga qytetarët, që tashmë kanë marrë dozën e dytë të vaksinës. Ai ka thënë se kujdes duhet të bëhet sidomos në periudhën dyjavore pas vaksinimit, derisa vaksina të arrijë efektin mbrojtës.  

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur vendimin e Qeverisë për gjashtëfishimin e numrit të inspektorëve të AUVK. 17 inspektorëve aktualë do t’u shtohen edhe 85 të tjerë.

“Nga ata 17, vetëm 11 janë aktivë, meqë 6 janë të sëmurë. Nesër dalin listat, e gjatë javës fillojnë punën”, ka thënë kryeministri, teksa ka njoftuar edhe për zgjatjen e orarit të punës së pjesëtarëve të policisë, nga ndërrimi 8 orësh në 12 orë.  

Ka thënë se do të ketë zbatim të pakompromis të masave në të gjitha nivelet dhe ka bërë të ditur se në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, do të themelohet Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e gjendjes me pandeminë, duke e përcjellë për çdo orë.

“Oksigjenimi qendror është shtrirë pothuajse në secilin spital. I kemi rritur kapacitetet e shtretërve në 1.600 dhe do t'i rrisim edhe më tej, sipas nevojës, përfshirë këtu edhe Qendrën Mjekësore të FSK-së me afër 100 shtretër”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur për dinamikën e furnizimit me vaksina, që sipas tij, po e dikton edhe ritmin e vaksinimit. “Sa kemi vaksina në stoqet tona, aq kemi edhe termine për vaksinim. Në qoftë se na vijnë sasi më të mëdha të vaksinave, natyrisht se do të punohet edhe vikendeve edhe me ekipe mobile të vaksinimit”, ka thënë ministri Vitia.

 

 

 â€‹

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)