25 Prill 2024

Qeveria pak fonde për shëndetin mendor

Prishtinë, 11 tetor - Në Ditën Botërore për Shëndet Mendor, Zyra për Shëndet Mendor e Ministrisë së Shëndetësisë, me përkrahjen e Zyrës së OBSH-së në Kosovë, kanë organizuar sot një tryeze të rrumbullakët me aktorët e kyçur në trajtimin e kësaj lamie në Kosovë.

Në këtë tryezë, është theksuar se përkundër vështirësive që ekzistojnë në trajtimin adekuat të personave të cilët janë të prekur nga çrregullimet mendore, Ministria e Shëndetësisë me ndihmën e vazhdueshme të OBSH-së, donatorëve dhe organizatave qeveritare dhe joqeveritare, ka arritur rezultate të konsiderueshme në procesin e reformimit dhe ndërtimit të shërbimeve bashkëkohore të Shëndetit mendor, që në qendër të vëmendjes kanë individin me çrregullime mendore, brenda kontekstit të tij familjar dhe kontekstit të bashkësisë në të cilin jeton.

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH ka thënë se sistemi shëndetësor është në një proces të reformimit të thellë, por ka theksuar se pengesa kyçe në këtë proces është mos trajtimi si prioritet i këtij sektori në nivelin më të lartë qeveritar. Mungesa e buxhetit dhe e resurseve humane, sipas tij, janë pengesa në sigurimin e shërbimeve më profesionale në Shëndetin mendor në Kosovë.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, ka theksuar se shifrat e larta të njerëzve që sot anekënd botës vuajnë nga depresioni, tendencat në rritje të numrit të vetëvrasjeve etj., janë disa prej indikatorëve që e bëjnë të domosdoshëm aplikimin sa më të shpejtë të Udhëzuesve praktikë për Shëndetin mendor të OBSH, udhëzues ky që duhet të analizohet në mënyrë kritike dhe zyrtarizohet për përdorim.

Dr. Gani Shabani, shef i Zyrës së Shëndetit Mendor në MSH, ka bërë një prezantim lidhur me shërbimet profesionale të Shëndetit mendor në Kosovë, ku është theksuar se këto shërbime mbështeten në Strategjinë për Shëndetin mendor 2008-2013 dhe dokumente të tjera dhe ato janë të organizuara në tre nivele shëndetësore: në parësor ku shërbimet i ofrojnë QKMF-të dhe QMF-të; dytësor ku shërbimet ofrohen nga repartet psikiatrike në kuadër të spitaleve rajonale, Qendrat e Shëndetit Mendor në Bashkësi, Shtëpitë e integruara në bashkësi dhe Qendra për Integrim dhe Rehabilitim të Sëmurëve Kronikë Psikiatrik në Shtime (QIRSKP); dhe terciar -Klinika e Psikiatrisë me njësitë e saja në QKUK dhe QSHM për Fëmijë dhe Adoleshentë në QKUK.

Ajo që është theksuar në këtë tryezë është fakti që sipas buxhetit të ndarë për vite për shërbime të Shëndetit mendor shihet se prej vitit 2003 kur për këtë shërbime kanë qenë të ndara 2 milionë euro (1 milionë për mallra dhe shërbime dhe 1 milionë euro për investime kapitale), zvogëlimi i buxhetit ka qenë drastik për vite dhe në vitin 2010, MSh ka pasur në dispozicion për këto shërbime vetëm 607.886 euro.

Në këtë debat është folur edhe për sfidat në këtë fushë sikur janë zbatimi i Strategjisë së Shëndetit mendor, stigma dhe promovimi i Shëndetit mendor, de-institucionalizimi si proces, mungesa e barnave psikotrope, kufizimi i numrit të punëtorëve, etj.

Në përmbyllje të tryezës janë dhënë edhe rekomandimet përkatëse për avancimin e shërbimeve të Shëndetit mendor në Kosovë.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)