04 Shkurt 2023

Prof. Dr. Rifat Latifi emërohet Ministër i Shëndetësisë

Prishtinë, 16 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Prof. Dr. Rifat Latifi, Ministër të Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Emërimi i tij u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp të kryeministrit Kurti dhe Prof. Dr. Rifat Latifit.

Gjatë prezantimit të ministrit të ri, kryeministri Kurti vlerësoi përvojën  e tij akademike dhe profesionale, përfshirë qendra spitalore dhe universitete me emër në ShBA.

Ai theksoi punën e vazhdueshme të Prof. Dr. Latifi për promovimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në themelimin e telemedicinës në Kosovë dhe Shqipëri.

Ndërkaq, ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, falënderoi kryeministrin Kurti për, siç tha ai, nderin e madh dhe besimin për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme.

Ai u zotua që bashkë me ekipin e tij do të angazhohen që në mënyrë afatgjate të ngrisin standardet mjekësore në Kosovë.

Dr. Rifat Latifi është i lindur në Kllodernicë të Skenderajt. Ka studiuar në mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në Kleveland dhe Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përvoja e tij akademike dhe profesionale, përfshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete federale të ShBA-së.

Për momentin, Dr. Latifi punon si profesor dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut, drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të Westchenster-it, Spitalin për fëmijë të “Maria Farerit” dhe spitalit regjional të Mid Hjuston.

Dr. Latifi është shumë i angazhuar edhe në fushën e telemedicinës ndërkombëtare, përmes së cilës edhe ndihmon në rindërtimin e shërbimit shëndetësor në vendet e dala nga konfliktet apo vendet në zhvillim.

Ka punuar në vazhdimësi për promovimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në themelimin e telemedicinës, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Për angazhimin e tij, është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare. Është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore apo kapitujve të librave shkencorë dhe shërben si anëtar i bordit editorial të disa magazinave shkencore.

Prof. Dr. Rifat Latifi është kryetar dhe themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)