28 Mars 2024

Procedurat e prokurimit të MSH-së dhe SHSKUK-së jo transparente dhe të mangëta

Prishtinë, 4 tetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi sot gjetjet nga analiza e procedurave të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për periudhën pandemike qershor 2020 – shtator 2022.

Në këtë diskutim morën pjesë deputetë nga Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Ministria e Shëndetësisë, përfaqësues nga institucionet që rregullojnë dhe mbikëqyrin shpenzimet publike, përfaqësues afarist, akterë të shoqërisë civile, mediave dhe komunitetit të donatorëve.

Analiza e KDI-së shpërfaqë probleme sistematike me të cilat është shoqëruar prokurimi publik në sektorin e shëndetësisë në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë.

Problemet e evidentuara në këtë drejtim përfshijnë performancën e dobët buxhetore nga Ministria e Shëndetësisë, planifikimet e dobëta dhe jo adekuate, vendime që kanë shkaktuar vonesa dhe humbje të parasë publike, aplikimin jo standard të kritereve të përshtatshmërisë për furnizime, fryrje të çmimeve si dhe kontrolli i dobët në menaxhimin e kontratave.

Po ashtu, analiza potencon dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë në përmbushjen e obligimit ligjor për mbulimin e të gjitha shpenzimeve lidhur me trajtimin mjekësor të pacientëve të prekur nga COVID-19.  

Diana Metushi Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, vuri një theks të veçantë në prokurimet e realizuara nga UNOPS-i për COVID-19, përmes një marrëveshje ndërmjet tyre dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ajo theksoi se qytetarët përveç që paguajnë shërbimet e UNOPS-it dhe interesin e huamarrjes, paguajnë edhe çmime deri në 200% më të larta se ato të kontraktuara nga MSH-ja dhe SHSKUK-ja për të njëjtat produkte.

Për më tepër, u potencua që prokurimet e realizuara nga UNOPS-i, me paratë e qytetarëve të Kosovës, nuk janë transparente për publikun.

Sa i përket vaksinave kundër COVID-19, përveç që Kosova ka qenë e fundit në sigurimin e tyre, kontrata dhe çmimi i paguar për to vazhdojnë të mbesin të mbyllura, nën kategorizimin si sekret afarist.

Metushi Krasniqi vlerësoi që ‘sekreti afarist’ si klasifikim ligjor rrit rrezikun për korrupsion në shpenzimet publike dhe fshehjen e informacionit për shkak të përshkrimit jo adekuat.

Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës ngritën shqetësimet e tyre lidhur me procedurat e prokurimit gjatë pandemisë COVID-19.

Bekim Haxhiu, anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, theksoi se janë dy marrëveshje me UNOPS-in të cilat nuk janë miratuar në Kuvend dhe si e tilla janë kundër-kushtetuese.

Deputeti Haxhiu po ashtu theksoi se gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me kontratat në vlerë 7-8 milionëshe, janë shqetësuese sepse evidentojnë mungesë të raporteve pranimit të mallit, e që rrit dyshimet për abuzime me sasitë e pranuara.

Ndërsa, anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, deputeti Shemsedin Dreshaj, shtoi se raporti në fjalë, i cili trajton mungesën e transparencës dhe keqpërdorimet potenciale nga MSH-ja, duhet të hetohet nga Prokuroria.

Tutje, sa i përket shpenzimeve që qytetarët u deshën t’i realizojnë vet në trajtimin mjekësor për Covid-19, deputeti Dreshaj shtoi se në protokollet e përpiluara gjatë pandemisë nuk ka pasur listë esenciale të barnave sikurse vendet e tjera.

Gjithashtu, ai evidentoi si gabim vendosjen në protokoll të analizës “D-Dimer” e cila nuk mund të bëhej fare në qendrat publike spitalore, andaj pacientët duhej t’i drejtoheshin institucioneve private shëndetësore.

Deputetja Floretë Zejnullahu, anëtare e Komisionit për shëndetësi, nënvizoi që mos respektimi i ligjit anti-COVID nga Ministria e Shëndetësisë është mjaft shqetësues, sidomos duke marrë parasysh barnat dhe trajtimet shëndetësore të cilat është dashur të jenë falas për qytetarët.
 
Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, sqaroi se marrëveshja me UNOPS-in është derivat i dy marrëveshjeve me Bankën Botërore, në të cilat parashihet edhe delegimin e procedurave të prokurimit tek UNOPS-i.

Ndër të tjera, ai deklaroi se kushdo mund të ketë qasje në këto marrëveshje, sepse ato nuk janë të klasifikuara.

Lidhur me kontratën për furnizim me vaksina kundër COVID-19, ai theksoi se furnizimi me vaksina paraqet sukses, si dhe pavarësisht faktit se kemi qenë të fundit, administrimi i mbi 500,000 dozave të vaksinës brenda 30 ditëve është sukses i kësaj ministrie.
 
Arianit Jakupaj, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, theksoi se, në kohën kur ligji i pandemisë ka qenë në debat publik, kishin kërkuar që t’i kushtohej një kujdes i veçantë çmimeve, si dhe që Qeveria dhe Kuvendi të kishin parasysh që Kosovës i duhet një akt nënligjor i cili rregullon tavanet e çmimeve për furnizimet me barna, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat.
 
Në fund, KDI parashtroi një sërë rekomandimesh për institucionet publike të Kosovës, ku ndër tjerash kërkohet që marrëveshjet me UNOPS-in dhe kontraktimet e bëra nga kjo e fundit të bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë. Për SHSKUK-në KDI rekomandoi që ajo të hartojë planifikime të mirëfillta të prokurimeve.

Ndërsa, u kërkua nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Ligjit anti-COVID, që të dorëzojë raportin e monitorimit në një afat sa më të shpejtë. Kurse, Zyrës Kombëtare të Auditimit iu rekomandua auditimi i  performancën së kontratës të Ministrisë së Shëndetësisë me UNOPS-in.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)