19 Janar 2022

Prezantohen masat e reja për kontrollin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

Prishtinë, 5 dhjetor -  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, dr. Rifat Latifi, në një konferencë për media, kanë prezantuar masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që do të hyjnë në fuqi prej nesër, 6 dhjetor 2021.

Duke biseduar për situatën në vend, kryeministri Kurti theksoi se fillimi i dhjetorit na gjen me situatën epidemiologjike më të qetë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në të gjithë Evropën. Këtë rezultat të shkëlqyer e kemi arritur të gjithë neve bashkë — institucionet shtetërore në bashkëpunim me qytetarët e Republikës, tha ai.

Duke veçuar katër rreziqe me të cilat do të përballemi shumë shpejt, në një valë të re gjatë javëve dhe muajve në vijim, kryeministri ritheksoi domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës sonë.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që Qeveria i ka në dispozicion. Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, kemi marrë masa kufizuese, edhe brenda vendit, edhe në pikat kufitare,” tha kryeministri Kurti.

Ai tha se vazhdimisht janë duke u shqyrtuar të dhënat më të reja të dala prej institucioneve botërore shëndetësore, mbi të cilat do të përditësohen masat sa herë të ketë nevojë, konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë.

Për të inicuar dhe kalibruar rekomandimet e reja kundër COVID-19, duke pasur në vëmendje variantin e ri, Omicron, veçoritë  tij të njohura deri tani si dhe situatën epidemiologjike të rënduar në vendet tjera ballkanike dhe evropiane, Ministria e Shendetësisë  ka marrë rekomandimet nga institucionet tona dhe ekspertet shëndetësor, ka konsultuar të dhënat shkencore kredibile, rekomandimet e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë Covid-19,  ministritë dhe agjencitë shtetërore të linjës si dhe hisedarët e tjerë.

Duke theksuar se ndonëse Kosova gjatë kësaj periudhe ka bërë një përparim të konsiderueshëm në vaksinimin kundër COVID-19, duke arritur të imunizoj në një përqindje të lartë grupet e synuara,  ministri Latifi tha se është shumë e nevojshme të shtojmë intensitetin e vaksinimit të plotë, ngase vaksina, sipas të gjitha studimeve te publikuara ul ndjeshëm rrezikun nga format e rënda të sëmundjes dhe nga vdekja.

Treguesit e situatës epidemiologjike na bëjnë që në proporcion edhe me rreziqet e mundshme shëndetësore të reagojmë në parandalimin e përhapjes së virusit, gjithmonë të bazuara në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në Republikën së Kosovës, dhe brenda kapaciteteve të sistemit tonë shëndetësor për të përballuar çfarëdo situate që mund të shfaqet në vijim, tha ai.

Duke kërkuar mirëkuptimin e popullatës për masat, Ministri Latifi bëri thirrje që ato të respektohen, sepse, rikujtojmë që çdo valë tjetër e COVID-19, mund të jetë po aq e rëndë sa ishte edhe vala e fundit e cila kishte pasoja të rënda dhe u përballua më vështirësi.

Ministri Latifi prezantoi masat e reja, për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19:

-          Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës, duhet  të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë;

-          Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose  dëshmia se personi ka kaluar Covid-19;

-          Nga 03 janar 2022, për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlej vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë;

-          Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës, dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit;

-          Tash qe ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12 vjeç e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, mes disa kategorive, do të lirohen personat nën 12 vjeç, personat me dëshmi mjekësore që kanë kundër indikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, si dhe disa kategori tjera;

-          Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve në institucionet publike dhe ato private, udhëtarët që shërbehen me transportin publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe të gastronomisë do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë; ndërsa kur është i pjesshëm, bashkë me dëshminë e shërimit apo rezultatin negativ të testit RT-PCR.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)