31 Korrik 2021

OBSH dhuron 30 mijë dollarë pajisje shëndetësisë në Prishtinë

Prishtinë, 11 mars - Në vijim të përpjekjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Zyrës në Prishtinë, për mbështetjen e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe duke iu përgjigjur nevojave të institucioneve shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor  të Komunës së Prishtinës, më 10 mars u përmbyll me sukses procesi i pajisjes së këtyre institucioneve me 80 peshore dhe 80 matës gjatësie/lartësie në vlerë prej mbi 29.177 dollarëve amerikan.

Këto pajisje të dhuruara nga OBSh janë siguruar përmes fondeve të dhuruara nga Qeveria e Luksemburgut në kuadër të projektit të përbashkët për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve në Kosovë.

Ndërkaq, sigurimi i tyre vjen si kurorëzim i natyrshëm i procesit të trajnimit të personelit shëndetësor të këtyre institucioneve për zbatimin e standardeve të rritjes së fëmijëve.

Pajisja e re do t’u shërbejë rreth 200 profesionistëve shëndetësor të KPSh të trajnuar nga OBSh që të zbatojnë në mënyrë të drejtë standardet e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve në përgjithësi dhe atyre të moshës 0-5 vjeç në mënyrë të veçantë.

Standardet e reja të rritjes së fëmijëve sipas OBSh-së do të sillen edhe më afër profesionistëve shëndetësor përmes panove të plastifikuara me grafikonet e rritjes që do të vendosen në secilën ordinancë mjekësore, të siguruara nga Zyra e OBSh-së në Prishtinë.

Kjo do të bëjë të mundur që një personel i aftësuar dhe pajisur siç duhet, të përcjell në vazhdimësi rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç.

Me këtë rast Ministria e Shëndetësisë i shprehë falënderim të veçantë Zyrës së OBSh-së për zhvillimin e këtyre aktiviteteve dhe sigurimin e pajisjes përmes bashkëpunimit të ngushtë me Drejtoratin Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Drejtuesit e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 Korrik 2021

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe Komunën e Prishtinës organizon për herë të parë Panairin e Vullnetarëve të Shëndetit Mendor. (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Federat e Futbollit të Kosovës organizon workshop-in rreth sistemit VAR. (Kampi Edukativ Nacional në Hajvali, ora 17:00)