31 Korrik 2021

Nesër fillon vaksinimi masiv i qytetarëve të Mitrovicës

Mitrovicë, 14 qershror - Nën udhëheqjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku tema kryesore për diskutim ishin vaksinimi masiv i qytetarëve të Mitrovicës nesër me datë 15 qershor, dhe organizimi i dëgjimit publik me qytetarë për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2022-2024.

Fillimisht drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, njoftoi bordin lidhur me organizimin e dëgjimit publik me qytetarë për Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2022-2024, i cili do të mbahet nesër me datë 15.06.2021, duke filluar nga ora 14:00.

Ndërsa drejtoresha për Shëndetësi, Erseka Hasanaj Barani, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që nesër me datë 15 qershor të filloj vaksinimi masiv i qytetarëve në bazë të kritereve për vaksinim, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, që do të bëhet nga 12 ekipe të vaksinimit nga QKMF-ja. Ajo potencoi se vaksinimi do të bëhet tek personat e moshës 18 e lartë (me sëmundje kronike).

“Vaksinimi do të bëhet nga e hëna deri të premten, nga ora 07:00-19:00, ku pas vaksinimit stafi shëndetësor do të përcjell gjendjen e pacientit për 5-7 minuta. Dhe po ashtu QKMF-ja kanë vendosur edhe një numër kontaktues për çfarëdo informate që u duhet qytetarëve. Ndërsa sa i përket termineve për marrjen e vaksinës janë të obligueshme, dhe duhet të bëhen në platformën elektronike në https://ekosova.rks-gov.net”, shtoi ndër të tjerash drejtoresha Barani.

Me këtë rast, kryetari Agim Bahtiri, ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të kryejnë vaksinimin, sepse është e vetmja mënyrë për ta mundur virusin Covid-19.

Gjithashtu në këtë mbledhje, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, ka informuar ekzekutivin për aktivitetet e organizuara nga teatri “Muharrem Qena”, i cili tha se të enjten me datë 17.06.2021, duke filluar nga ora 19:30, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” do të shfaqet premiera “Tri mendje në ankand”, me regjisore Marigona Bekteshi, kurse të premten me datë 18.06.2021, duke filluar nga ora 19:30 do të shfaqet shfaqja “Mbreti Yll”, me autor Zekë Murseli.

Në fund, Bordi diskutoi edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku pati edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Gusht 2021

- Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden më ç'rast me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett. (Oborri në hyrje të objektit të Kuvendit ora 18:30 - Mediat duhet të jenë të pranishme në Presidencë, ora 17:45)