18 Prill 2024

MSh inkurajon ngritjen kapaciteteve në Kirurgji

Prishtinë, 8 tetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi, tha sot se Ministria e Shëndetësisë ka për objektiv të rëndësishëm ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe avancimin e tyre, në përputhje me inovacionet që sot me sukses aplikohen në mjekësinë evropiane e botërore.

Ministri Bukoshi deklaroi kështu në ditën e dytë të Simpoziumin e V-të Ndërkombëtar të Kirurgjisë, që u mbajt në Prishtinë me  temë qendrore menaxhimin e gjendjeve urgjente në Kirurgji.

Ky simpozium, tha Ministri Bukoshi, është i një rëndësie të veçantë, sepse i bashkon profesionistët e Kirurgjisë nga i gjithë rajoni, dhe i kontribuon bashkëpunimit rajonal si dhe përmirësimit të kualitetit të shërbimeve shëndetësore kirurgjike dhe shkencore.

“Gjithashtu, e ka edhe simbolikën e vet, pasi që fillimisht është iniciuar dhe sponzoruar nga Gjermania, një shtet ky shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, nga ndihma e të cilat kanë përfituar shumë të gjitha vendet e rajonit tonë. Për ta vazhduar një traditë të mirë të bashkëpunimit në shëndetësi, me synimin që edhe Kosova të ndjek me aq sa ka mundësi zhvillimet e reja në mjekësinë bashkëkohore, Simpoziumi i sivjetmë është sponzoruar nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, përkundër kapaciteteve tona financiare shumë të kufizuara dhe gjendjes së vështirë në shëndetësi”, tha ministri Bukoshi.

Ai i ka përgëzuar kirurgët nga Gjermania, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova për këmbimin e përvojave të tyre lidhur me teknikat më të reja në trajtimin kirurgjik të patologjive urgjente në kirurgjinë abdominale.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni bashkëpunimin, me qëllim që shkathtësitë profesionale në kirurgji të avancohen edhe më tej, në dobi të shkencës së mjekësisë dhe pacientëve tanë”, ka theksuar Ministri.

Dita e sotme ka qenë e dyta e Simpoziumit të V-të ndërkombëtar në Kirurgji dhe ka trajtuar tema nga më të ndryshmet në Kirurgji, kryesisht rreth menaxhimit të gjendjeve akute në kirurgjinë abdominale, derisa një ditë më parë, ekipet e  kombinuara të mjekëve kanë kryer dy operacione të llojit Whipple, që kanë zgjatur më orë të tëra në QKUK dhe të njëjtat janë ndjekur nga kirurgë të tjerë përmes Qendrës së telemjekësisë.

Në ditën e dytë të Simpoziumit pjesëmarrës kanë qenë edhe paqeruajtës të KFOR-it nga kampi amerikan Bonstill dhe paqeruajtës gjermanë, që shërbejnë në divizionet mjekësore të KFOR-it.

Ky simpozium ishte organizim i përbashkët i QKUK-së, Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe Qendrës Klinike Universitare të Manhajmit dhe fakultetit të Mjekësisë të këtij qyteti nga Gjermania.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)