29 Mars 2024

MSH e OBSH për shëndetin e grave dhe fëmijëve

Prishtinë, 10 mars - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) -Zyra në Prishtinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovë po mbajnë në Prishtinë konferencën : ”Drejt përmirësimit të shëndetit të grave dhe fëmijëve të Kosovës”, bashkë me partnerët e tjerë të involvuar në fushën e ngritjes së shëndetit të grave e fëmijëve dhe shëndetit riprodhues në Kosovë.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, dhe dy ekspertë të OBSH-së,  Gunta Lazdane dhe Vivian Barnekow, përgjegjëse për vendet e Evropës Juglindore për shëndetin e nënave dhe foshnjave.

Ministri Gashi tha në hapje të konferencës se Ministria e Shëndetësisë e vlerëson si shumë domethënëse konferencën dhe temën e saj në këtë fazë të reformave në shëndetësi, ndërkohë që ka theksuar se ulja e morbiditetit dhe mortalitetit të popullatës, është prioritet parësor i MSh-së në kuadër të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore (2010-2014).

Duke theksuar faktin që Kosova ka popullatë relativisht të re, ministri tha se detyrë e MSh-së është që ta bëjë të pamundurën që popullata të jetë sa më e shëndoshë, ndërkohë që të ndodh kjo, MSh i ka kushtuar rëndësi të veçantë ngritjes së kapaciteteve të infrastrukturës, atyre profesionale dhe aspekteve legjislative për mbrojtje sa më të mirë të shëndetit të nënave dhe fëmijëve.

Ulja e shkallës së mortalitetit perinatal në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit, sipas ministrit Gashi është një element inkurajues dhe trendi pozitiv duhet të vazhdojë edhe më tej.  Një vend mund të çmohet me atë se si e trajton shëndetin e nënës dhe fëmijës, theksoi ministri.

Gunta Lazdane (OBSH), tha se nuk ka asnjë vend në botë që mund të thotë se e ka rregulluar plotësisht çështjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Mbrojtja e shëndetit të nënës dhe fëmijëve është një prioritet i lartë, prandaj për këtë, theksoi ajo, shumica e vendeve të botës implementojnë strategji për mbrojtjen e shëndetit të këtyre dy kategorive.

Në këtë konferencë, përfaqësues të MSH-së, IKSHP-së, UNICEF-it, UNFPA-së, QKUK-KOGJ, etj, kanë bërë prezantime të ndryshme dhe debate rreth gjendjes së shëndetit të nënës e fëmijëve dhe shëndetit riprodhues në Kosovë dhe u theksua fakti se gjatë ëktij viti, MSh me partnerët do ta finalizojnë Strategjinë për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Kosovë, drafti i së cilës është punuar.

Synimi i përgjithshëm i kësaj konference që do të vazhdojë edhe nesër, do të jetë planifikimi i përgjigjes së koordinuar drejt shëndetit të përmirësuar të grave dhe fëmijëve në Kosovë dhe arritjes së objektivave të Mijëvjeçarit që lidhen me  këto dy çështje.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)