06 Gusht 2021

Ministria e Shëndetësisë prezantoi rishikimin funksional të saj

Prishtinë, 19 mars - Ministri Gashi ka shpjeguar se drejtimet kryesore të Planit Zhvillimor Strategjik përfshijnë ndryshimin e fokusit kryesor të Ministrisë nga administrimi dhe menaxhimi i drejtpërdrejt i shërbimeve shëndetësore drejt një Ministrie të fokusuar në politikë-bërje të cilësisë së lartë, planifikim , rregullim, monitorim dhe rishikim

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, ka prezantuar sot në takimin e Komisionit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike drejtimet e rishikimit funksional të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri Gashi, duke theksuar se që nga përfundimi i drejtimeve të rishikimit funksional të përfunduara në qershor 2009, është avancuar reforma substanciale në legjislacion, farmaci dhe menaxhim të parasë publike, që është vlerësuar edhe në raportin vjetor të Auditorit Gjeneral, ka bërë të ditur se aktualisht është duke u përgatitur Plani Zhvillimor Strategjik institucional për të zbatuar rekomandimet kryesore rreth rishikimit funksional të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri ka shpjeguar se drejtimet kryesore të Planit Zhvillimor Strategjik përfshijnë ndryshimin e fokusit kryesor të Ministrisë nga administrimi dhe menaxhimi i drejtpërdrejt i shërbimeve shëndetësore drejt një Ministrie të fokusuar në politikë-bërje të cilësisë së lartë, planifikim , rregullim, monitorim dhe rishikim.

Kjo do të përfshijë  zvogëlimin e numrit të madh të funksioneve për shërbime të përbashkëta që i raportojnë Sekretarit të Përhershëm dhe për të rritur profilin e shërbimeve shëndetësore nëpërmjet ndarjes së Departamentit të madh për shërbime shëndetësore në dy departamente; njëri departament do të merret me shërbimet dytësore dhe tretësore, përfshirë shëndetin mendor dhe departamenti tjetër me shërbimet e shëndetit publik dhe parësor.

Gjithashtu, rishikimi funksional i MSh-së do të përforcojë rolin e  Departamentit të Menaxhimit Strategjik në koordinimin e politikave të  gjera ministrore, proceseve të planifikimit dhe rishikimit, derisa financimi dhe kontraktimi i punëve do të përshpejtohet nëpërmjet themelimit të një Departamenti për Financim dhe Kontraktim.

Me strukturën e re, Spitalet do t’u jepen në menaxhim komunave, sipas planit të decentralizimit të shërbimeve, ndërsa puna e tyre do të mbikëqyret nga Bordi Profesional disa anëtarësh, i cili do të caktohet nga ministri i shëndetësisë.

Gjithashtu, ministri Gashi ka paralajmëruar edhe riorganizimin e divizioneve në mënyrë që të inkurajohen më shumë aranzhime funksionale, duke zvogëluar numrin e  njësive dhe zyrave të specializuara, si dhe duke i dhënë stafit disa role gjenerike për të shfrytëzuar më mirë shkathtësitë dhe përvojën e tyre përgjatë një sërë detyrash e po ashtu edhe rritjen e funksioneve të inspektimit të sektorit shëndetësor do të përforcohen.

Ministri Gashi ka theksuar se ndryshimi i strukturës së MSh-së për t’u fokusuar më fuqimisht në politikë-bërje, planifikim dhe performancë,  është vetëm faza e parë e punës, ndërsa sistemet, proceset dhe stimujt lidhur me stafin gjithashtu duhet të përmirësohen dhe vëmendje do t’iu kushtohet këtyre fushave gjatë punës së ristrukturimit.

Në takim janë miratuar rekomandimet e dala nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me rishikimin funksional të saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 Gusht 2021

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të diskutohet procesi i monitorimit të Ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Nënshkuhet Memorandumi me Ambasadën e Norvegjisë “Mbështetje për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe kabinetin e tij, komisionet dhe grupet parlamentare, nën kornizën ‘Fuqizimi i paqes dhe shtetndërtimit dhe avancimi i agjendës evropiane për Kosovën’. (Kabineti i kryetarit të Kuvendit, ora 10:40)  

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për medie lidhur me koncertin e Ramë Lahajt. (Hotel “Opera” në Prishtinë, ora 14:30)