29 Mars 2024

Ministri Agani vizitoi Klinikën e Ortopedisë në QKUK

Prishtinë, 21 shkurt - Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, me këshilltarët  e tij dhe Drejtorin Ekzekutiv të QKUK-së, dr. Nijazi Gashi, kanë vizituar Klinikën e Ortopedisë me Traumatologji Lokomotore, me ç’rast janë njoftuar  në lidhje me punën që bëhet në këtë Klinikë, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet stafi i saj.

Dr. Faton Morina, Drejtor i Klinikës së Ortopedisë, njoftoi Ministrin se Klinika e Ortopedisë me Traumatologji Lokomotore , funksionon e ndarë në dy  hapësira të ndryshme me gjithsej  100 shtretër. “Në Klinikë i kemi  3 salla operative, shumica e rasteve që operohen janë të natyrës traumatologjike”.

 Sipas tij, Klinika ka staf të mjaftueshëm të profesionistëve shëndetësorë, por nevojitet ndihma me aparaturë mjekësore dhe me furnizim me materiale për implante.

Ministri Agani theksoi se po angazhohet për ndryshime pozitive konkrete dhe se reformat në shëndetësi janë në binarë të duhur.

“ Po angazhohem që shërbimet shëndetësore të ngriten në nivelin më të lartë  të mundshëm, dua të krijoj kushte që ju ta bëni punën për çka jeni të përgatitur dhe që mund ta bëni”.

Ai kërkoi nga zyrtarët e Klinikës së Ortopedisë që të përgatisin  kërkesën se çka mund të realizohet në planin afatshkurtër, në mënyrë që të fillojnë menjëherë hapat konkrete. Sipas tij, në planin afatshkurtër do të mund të bëhen furnizime të domosdoshme për të tu kryer punët pa pengesa, përderisa në planin afatmesëm,  parashihet që përmes një kredie nga Austria të investohet  në tërë Klinikën e Ortopedisë, përfshirë aparaturën dhe pjesën e  infrastrukturës.

“ Do ta shikojmë edhe mundësinë e partneritetit publiko-privat, përmes shtetit të Turqisë, ku Ministria e Shëndetësisë së Turqisë do të zgjidhte disa institucione shëndetësore   dhe profesionistë të cilët do të vinin të ofronin shërbime tek ne, e kjo do të jetë mundësi e mirë edhe për stafin vendor”

 Ai tha se po angazhohet  që disa mjete që janë premtuar  në Konferencën e donatorëve nga Turqia, të investohen në shëndetësi.

Dr. Nijazi Gashi, Drejtor Ekzekutiv në QKUK, tha se do të japë gjithë përkrahjen e tij si drejtor ekzekutiv që Klinika e Ortopedisë të   zhvillojë shërbimet e saja dhe të rrisë numrin e shërbimeve që ofrohen në të.

Dr. Arben Grazhdani, specialist i ortopedisë, kërkoi nga Ministri që t’i kushtohet kujdes dhe prioritet i   veçantë edhe edukimit të kuadrit.

Ministrai Agani tha se ka oferta të ndryshme nga institucione të ndryshme shëndetëosre jashtë vendi dhe përmes kërkesave që do të bëhen nga institucionet vendore të jetë e mundur që ato të realizohen. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)